Lajme

Numbeo publikon renditjen e qyteteve më të shtrenjta në botë: Zvicra dominon listën

Baza globale e të dhënave “Numbeo” ka publikuar renditjen më të fundit të qyteteve më të shtrenjta në botë, e cila bazohet në të dhëna të mbledhura nga mbi 600 mijë përdorues në mbarë globin.

Sipas kësaj renditjeje, Zvicra dominon listën me plot gjashtë qytete në dhjetëshen më të shtrenjtë. Në krye qëndron Cyrihu, i ndjekur nga Gjeneva, Bazeli, Lozana, Lugano dhe Berna. Krahas tyre, tre qytete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithashtu pjesë e kësaj liste, ndërsa i vetmi qytet jashtë Zvicrës dhe SHBA-së është kryeqyteti i Islandës, Reykjaviku, transmeton albinfo.ch.

Numbeo sqaron se kjo renditje paraqet një pamje të përkohshme të kostos së jetesës dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës, në varësi të faktorëve ekonomikë dhe inflacionit.

Në përllogaritjen e renditjes janë marrë parasysh shpenzimet për ushqim, restorante, transport publik, karburant, energji elektrike, ngrohje, ujë dhe internet, si dhe fuqia blerëse e banorëve, e bazuar në pagën mesatare neto.