Kosova
Opozita, e ndarë rreth pranimit të propozimit evropian
Menjëherë pas përfundimit të takimit mes kryeministrit të Kosovës dhe atij serb, dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti, përcjell albinfo.ch.
Referuar këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Aty [në propozimin evropian] nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, shkroi në Facebook kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Sipas tij, kryeministri Kurti me “veprime dhe politika të gabuara degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.
“Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, shkroi Krasniqi.
Pavarësisht se propozimi evropian – që u është dorëzuar palëve vitin e kaluar – ende nuk është bërë publik, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përfshihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin. Në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, u tha në reagimin e LDK-së.
Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.
“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri Kurti e cilësoi takimin në Bruksel si konstruktiv, duke pretenduar se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, por Serbia nuk shprehu gatishmëri.
“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rundin e bisedimeve, që u ndërmjetësua nga BE-ja, nuk u fol për miratimin e propozimit, por për planin e zbatimit. Ai tha se deri më 23-24 mars, kur mbahet takimi i Këshillit Evropian, Kosova dhe Serbia, përmes takimeve me të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, duhet të përpilojnë një raport lidhur me atë se ku kanë arritur me çështjen e marrëveshjes për zbatimin e propozimit. Ai tha se prej kësaj do të varet edhe integrimi evropian i Serbisë dhe Kosovës. Vuçiq insistoi se Serbia si prioritet ka zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë që kundërshtohet nga Kurti, i cili është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. Pavarësisht se në propozimin evropian, draftin e të cilit e ka parë Radio Evropa e Lirë, nuk përmendet decidivisht Asociacioni, aty përmendet një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015.Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin.Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
E-Diaspora
-
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore Doktorantët e Diasporës po lënë gjurmë suksesi në universitetet më prestigjioze të botës me punime shkencore... -
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës
Jeta në Zvicër
-
Banorët e Cyrihut do të përfitojnë nga ulja e taksave Lehtësim financiar për banorët e Cyrihut nga viti 2026... -
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore -
A është ky stacioni policor më i bukur në botë? -
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC











