Tematike
Osman Osmani drejton kritika ndaj ministres Sommaruga
Vënia e vizës C si kusht për shtetësinë, sipas Osmanit është “një hap para dhe tre mbrapa”, në realizimin e të drejtave të të huajve
Në manifestimin për nder të 1 majit, të mbajtur në Thun, ku është paraqitur ministrja e drejtësisë nga Partia Socialdemokrate Simonetta Sommaruga, një fjalë e ka mbajtur edhe funksionari sindikal gjegjësisht sekretari për migracion në qendrën e sindikatës UNIA, Osman Osmani.
Osmani në fjalën e tij, pasi ka tërhequr vërejtjen për rritjen e dallimeve në mes të të pasurve dhe të varfërve në Zvicër, vështrimin e ka fokusuar në disa aspekte të diskriminimit ndaj të huajve. Me këtë rast ai i ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta edhe oratores tjetër në të njëjtin tubim, ministres së drejtësisë në Qeverinë federale, Simonetta Sommaruga. Osmani, i cili ¨vjen nga e njëjta parti me Sommaruga-n, ka shfrytëzuar nga rasti që ministren ta kritikonte për gabimet që, sipas tij, po bëhen në realizimin e të drejtave të të huajve në Zvicër.
Ai me këtë rast i është qasur në mënyrë kritike, veç tjerash edhe ndryshimit të propozuar të bazës për fitimin e shtetësisë, që duhet të bëhet sipas revidimit të ligjit mbi të huajt, (të kërkuar edhe nga Sommaruga). Në këtë kontekst Osmani ka tërhequr vërejtjen se një ndryshim i tillë, me gjithë qëllimin pozitiv, ka mundësi të jetë një hap në drejtim të gabuar.
Shkurtimi i afatit bazë për të pasur të drejtë kërkimi të shtetësisë, nga 12 në tetë vite, sipas Osmanit, është hap i mirë. Por nga ana tjetër, vënia e kushtit që, për të fituar shtetësinë duhet pasur paraprakisht vizën C, e zhvlerëson fare shkurtimin e afatit në fjalë.
Kjo, për faktin se , siç nënvizon Osmani, sidomos në disa kantone të Zvicrës qendrore, praktika e dhënies së vizës C (Leja e përhershme e qëndrimit) është tejet restriktive. Atje ka mjaft raste kur të huajt me 20 apo 30 vite qëndrimi shembullor e pa probleme me ligjin, vazhdojnë të kenë ende vetëm vizën B.
Prandaj. duke vënë vizën C si kusht për kërkimin e shtetësisë, Osmani ka thënë se po bëhet “një hap para dhe tre mbrapa”, sa i takon të drejtave të të huajve.
Osmani është ndalur edhe në ndërprerjen e njëanshme të marrëveshjes për sigurimet sociale të Zvicrës me Kosovën, nga 1 prilli i vitit të kaluar. Ai me këtë rast ka tërhequr vërejtjen për shkeljen e një të drejte bazë që u bëhet qytetarëve të Kosovës me qëndrim dhe punë në Zvicër.
Me gjithë angazhimin e sindikatave dhe subjekteve tjera, punëtorët kosovarë vazhdojnë të diskriminohen mbi këtë bazë, ka thënë Osmani. Ata, ndryshe nga të huajt tjerë me punë në Zvicër, nuk mund të vendosin vetë se ku do t`i shfrytëzojnë paratë e sigurimeve sociale të akumuluara nga puna e tyre shumëvjeçare në Zvicër.
Ndërkaq, ministrja Simonetta Sommaruga në fjalimin e saj në Thun, të cilin e transmetojnë shumica e medieve zvicerane, u angazhua për problemin e migracionit.
Në fjalën e saj Sommaruga ka përkujtuar se “jo të gjitha problemet në Zvicër kanë të bëjnë me migracionin. Kur njerëzit ankohen për qiratë e shtrenjtuara apo për rrugët e bllokuara e trenat e stërmbushur, kjo nuk është për shkak të të huajve por si rezultat i nevojës së shtuar për mobilitet”.
Sommaruga po ashtu ka përkujtuar se integrimi i të huajve nuk është diçka që ndodhë vetvetiu, por për të duhet të punojnë të dyja palët. Ajo ka shtuar se është detyrë e të huajve që të angazhohen më shumë për integrimin në vlerat e shoqërisë ku jetojnë, duke i njohur dhe pranuar ato.
E-Diaspora
-
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje Ai kishte goditur një person me një thikë kuzhine, duke i shkaktuar lëndime kërcënuese për jetën... -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan -
Kurti sot, Abdixhiku nesër: takime në Zvicër për të kërkuar votat e mërgatës
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria












