Lajme
Papa Leoni XIV bën thirrje për paqe globale në bekimin e tij të parë të Krishtlindjeve “Urbi et Orbi”
Papa Leoni XIV ka bërë një thirrje të fuqishme për paqe në mbarë botën gjatë bekimit të tij të parë të Krishtlindjeve “Urbi et Orbi”, të mbajtur të enjten në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përpara mijëra besimtarëve të mbledhur pavarësisht motit me shi.
Pas kremtimit të meshës së parë të Krishtlindjeve të pontifikatit të tij një natë më parë në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë theksoi nevojën për dialog dhe pajtim, duke iu drejtuar veçanërisht palëve të përfshira në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë që të tregojnë “guxim për dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm”.
Në mesazhin e tij, Papa Leoni XIV ofroi një panoramë të gjerë të konflikteve dhe krizave humanitare në botë, duke përmendur vende si Gaza, Jemeni, Sudani, Siria, Mali, Haiti, Birmania dhe Republika Demokratike e Kongos. Ai u lut për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat, varfëria, persekutimi fetar dhe terrorizmi.
Duke ndjekur linjën e paraardhësit të tij, Papa u ndal edhe te çështja e migrantëve dhe refugjatëve, duke përmendur ata që rrezikojnë jetën në Mesdhe apo gjatë rrugëve të gjata në kontinentin amerikan në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu të krishterëve të Lindjes së Mesme.
Në një gjest simbolik dhe të pazakontë për fillimin e pontifikatit të tij, Leoni XIV e përmbylli fjalimin duke uruar “Gëzuar Krishtlindjet” në dhjetë gjuhë, përfshirë italishten, frëngjishten, anglishten, spanjishten, gjermanishten, portugalishten, polonishten, arabishten, kinezishten dhe latinishten.
Më herët, Papa kishte përshkuar sheshin me “papamobile”, duke përshëndetur dhe bekuar besimtarët mes brohoritjeve. Një natë më parë, gjatë meshës së Krishtlindjeve, ai kishte përcjellë një mesazh “dashurie dhe shprese”, duke kritikuar devijimet e një “ekonomie të shtrembëruar” që, sipas tij, cenon dinjitetin njerëzor.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës po hyn në... -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara -
Vritet një grua e moshuar nga Kosova në Buchs ZH: tre arrestime deri tani -
Krishtlindja dhe Viti i Ri: Saktësia teologjike e gjuhës në traditën katolike dhe etërve të Kishës -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi”
Jeta në Zvicër
-
Zyrtarët e zgjedhur zviceran duan të promovojnë verën vendase Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një shisheje për vaktet e festave, basti për një verë... -
Më shumë se gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në tregun e Krishtlindjeve në Montreux -
Ticino është kantoni më i prekur nga gripi -
Ndërhyrjet e pazakonta të policisë dhe zjarrfikësve në Zvicër gjatë vitit 2025 -
Fqinjët flasin për 71 vjeçaren nga Kosova që u vra në Zvicër











