Lajme

Parlamenti Evropian pezullon marrëveshjen tarifore me Shtetet e Bashkuara

Parlamenti Evropian, gjatë sesionit të tij të shkurtit 2026, ka vendosur të pezullojë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në pritje të “qartësimeve” nga Uashingtoni lidhur me ndikimin e vendimit të Gjykatës Supreme amerikane, e cila rrëzoi shumicën e tarifave të vendosura nga Donald Trump, transmeton albinfo.ch.

Para se Parlamenti Evropian të votojë, “ne duam që Shtetet e Bashkuara të sqarojnë se si do ta respektojnë marrëveshjen”, deklaroi eurodeputeti Bernd Lange (S&D), kryetar me ndikim i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare, pas një mbledhjeje urgjente të zhvilluar të hënën.

Edhe grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian – Partia Popullore Evropiane (EPP), Renew dhe të Gjelbrit – kanë shprehur më herët mbështetjen e tyre për këtë qasje.

Kërcënimet e Donald Trump

“Para çdo veprimi në Parlament, është thelbësore të ketë qartësi dhe stabilitet të plotë nga ana amerikane. Megjithatë, Donald Trump ka ofruar të kundërtën që nga fillimi i mandatit të tij”, u shpreh Valérie Hayer, presidente e grupit Renew.

Ndërkohë, eurodeputetja e të Gjelbërve Anna Cavazzini theksoi se shtyrja e votimit është një vendim i arsyeshëm: “Duke pasur parasysh pasigurinë e madhe që mbizotëron aktualisht, një votim do të ishte i pajustifikuar.”

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth Social, duke paralajmëruar se çdo vend që përpiqet të “luajë” me vendimin e Gjykatës Supreme do të përballet me tarifa edhe më të larta. Ai gjithashtu akuzoi Gjykatën se është “në favor të Kinës”.

Votimi ishte planifikuar për mars

Komisioni për Tregtinë Ndërkombëtare i Parlamentit Evropian ishte planifikuar fillimisht të votonte për zbatimin e marrëveshjes të martën, ndërsa votimi në seancë plenare ishte paraparë për 10 mars.

Kjo procedurë ishte pezulluar edhe një herë në janar, për shkak të kërcënimeve të Donald Trump për aneksimin e Groenlandës, dhe ishte rifilluar vetëm pasi ai hoqi dorë nga pretendimet ndaj territorit danez.

Detajet e marrëveshjes

Marrëveshja, e arritur verën e kaluar pas negociatave intensive mes Brukselit dhe Uashingtonit, parashikon që tarifat e vendosura nga SHBA për shumicën e produkteve evropiane të fiksohen në 15%, dukshëm më pak se 30% që ishte kërcënuar fillimisht nga presidenti amerikan.

Në këmbim, Bashkimi Evropian është zotuar të heqë tarifat e veta për importet amerikane, të cilat mesatarisht janë rreth 4.8%. Megjithatë, kjo kërkon miratimin përfundimtar të Parlamentit Evropian.