Lajme

Pas Kosovës, delegacioni amerikan udhëton sot drejt Beogradit

Bëhet e ditur se ndihmës sekretarja e Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Azi, Karen Donfried, do të qëndrojë për vizitë në Beograd këtë të martë, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ajo bashkë me zëvendësndihmës sekretarin, Gabriel Escobar, që është edhe i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor, do të priten nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Vlen të theksohet se kjo vizitë e tyre në Serbi bëhet pas qëndrimit që patën në Kosovë, ku u takuan me krerët më të lartë shtetërorë.

Gjatë vizitës në Kosovë, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, sepse status-quoja është e paqëndrueshme.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Ajo ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe rëndësinë e përparimit në këtë proces.