Lajme
Pashkët mes shqiptarëve të Zvicrës: Meshat në gjuhën shqipe dhe mesazhi i ringjalljes
Meshat e zhvilluara në gjuhën shqipe nga Misioni Katolik Shqiptar në Lucern dhe ai “Nëna Terezë” në Aarau, më shumë se akte fetare, ishin ngjarje që bashkuan shqiptarët
Misioni Katolik Shqiptar në Lucern dhe Misioni Katolik Shqiptar Nënë Tereza në Aarau. Pashkët, festa më e shenjtë e besimit të krishterë, këtë vit u kremtuan me një shpirt të thellë përkushtimi nga komuniteti shqiptar katolik në Zvicër. Meshat e zhvilluara në gjuhën shqipe nga Misioni Katolik Shqiptar në Lucern dhe ai “Nëna Terezë” në Aarau, nuk ishin thjesht një akt fetar, por një ngjarje që bashkoi shqiptarët, duke i lidhur ata me rrënjët e tyre shpirtërore dhe kulturore, edhe pse larg atdheut.
Javë e Shenjtë në Lucern, momente të thella reflektimi
Misioni Katolik Shqiptar në Lucern, gjatë Javës së Shenjtë, mblodhi besimtarët për të përjetuar me përulësi dhe reflektim çastet më domethënëse të kalendarit të Pashkëve. Meshat e së Enjtës dhe të Premtes së Madhe shpalosën ritin e mundimit, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, duke i dhënë ngjarjes një dimension të thellë shpirtëror.
“Të Premten e Madhe qëndrojmë në heshtje përpara kryqit,” tha Don Anton Uka, me një fjalë të ngrohtë e prekëse, që e mbushte kishën me një heshtje plot kuptim. “Është një heshtje që flet më shumë se çdo fjalë – sepse në atë kryq u derdh dashuria më e madhe që njeriu ka njohur ndonjëherë.”
Një nga momentet më të ndjera të së Enjtës së Madhe ishte rituali i larjes së këmbëve, një simbol i thellë përulësie dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Don Uka kujtoi fjalët e Jezusit, i cili lau këmbët e dishepujve, duke përcjellë mesazhin e faljes dhe dashurisë si themel të jetës së krishterë. “Të shërbesh, domethënë të mbretërosh,” shtoi ai, duke citua Shën Ireneun.
Në përmbyllje të kremtimeve, mesazhi i Don Anton Ukës tingëlloi si një thirrje e fuqishme për të gjithë: “Pashkët janë një ftesë për të parë përtej të tashmes, për të besuar dhe për të shpresuar për një të ardhme më të ndritur.”
Misioni Katolik Shqiptar Nënë Tereza Aarau, Pashkët, një kremtim bashkimi
Në qytetin e Aaraut, Pashkët u kremtuan me solemnitet të lartë në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Mbi 1.500 besimtarë shqiptarë nga kantone të ndryshme të Zvicrës morën pjesë në meshën e udhëhequr nga Don Marjan Demaj, i cili përcolli mesazhin e ringjalljes, besimit dhe shpresës, duke prekur thellësisht zemrat e të pranishmëve.
Festa në Aarau mori një dimension të veçantë falë pjesëmarrjes së shqiptarëve nga besime të ndryshme, përfshirë edhe ata me përkatësi islame. Ky ishte një akt i bukur dhe i fuqishëm i bashkëjetesës, ku vlerat e përbashkëta të dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve u shpalosën në mënyrë të natyrshme.
Një moment i veçantë gjatë meshës ishte përshëndetja e znj. Barbara Borer-Mathys, deputete në Parlamentin Kantonal dhe sekretare e SVP-së për kantonin të Aargaut. Ajo e theksoi rëndësinë e integrimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor, duke uruar gjithashtu komunitetin shqiptar për festën.
Në mesazhin e tij festiv, Don Marjan Demaj shprehu urimet më të ngrohta për besimtarët, duke i inkurajuar ata të jetojnë me shpresë dhe dashuri: “Ngjallja e Krishtit është fitorja e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën dhe e shpresës mbi dëshpërimin. Kjo festë na kujton se, edhe në çastet më të vështira, Zoti është gjithmonë me ne, duke na ftuar të besojmë dhe të ecim drejt dritës së Tij që kurrë nuk shteron.”
Pashkët në Zvicër, bashkim shpirtëror dhe identiteti shqiptar në mërgim
Pashkët në Zvicër, këtë vit, ishin më tepër se një ngjarje liturgjike; ato ishin një dëshmi e fuqishme se identiteti shqiptar, rrënjët shpirtërore dhe vlerat tradicionale mund të lulëzojnë edhe larg atdheut. Pas meshës së të Enjtës së Madhe, besimtarët ndanë një mëngjes të përbashkët, një sofrë që u bë simbol i dashurisë, bashkimit dhe shpresës që lind nga ringjallja.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Kantoni i Cyrihut ul taksat – Ulja më e madhe në 20 vitet e fundit Parlamenti mbështeti propozimin nga Komiteti i Financave dhe partitë e qendrës për të ulur normën e... -
Kërkohet me peticion heqja e klasit të parë në transportin publik -
Një lehtësim i vogël për nxënësit e shkollave ndërkufitare -
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës -
Treni i ri i natës nga Berna drejt qyteteve evropiane nis më 2026



















