Futboll
Përballja me Suedinë, Dardanët nuk dorëzohen
Para stërvitjes, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda dolën në konferencë për media, ku folën për përgatitjet dhe pritjet nga kjo ndeshje
Kosova e ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme ndaj Suedisë, që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Në këtë seancë stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda ka punuar në detajet e fundit taktike, me qëllim që të shmangen gabimet e evidentuara në ndeshjen e së premtes kundër Zvicrës në Bazel.
Përveç kapitenit Amir Rrahmani, i cili është liruar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, të gjithë lojtarët tjerë janë të gatshëm për sfidën e nesërme dhe optimistë se përkundër kundërshtarit tejet cilësor, do të arrijnë të tregojnë paraqitje krejtësisht tjetër nga mbrëmja e Bazelit.
Para stërvitjes, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda dolën në konferencë për media, ku folën për përgatitjet dhe pritjet nga kjo ndeshje, njofton FFK, transmeton albinfo.ch.
Përzgjedhësi i Dardanëve u shpreh optimist se skuadra do të ketë paraqitje më të mirë se ndaj Zvicrës.
“Ishim të vetëdijshëm që Zvicra ka ekip shumë të fortë dhe në atë ndeshje nuk arritëm ta zbatojmë lojën tonë. Gabimet i kemi analizuar me detaje dhe jemi përgatitur që të shfaqemi shumë më ndryshe ndaj Suedisë. Nesër jemi në shtëpi dhe dëshirojmë t’i kënaqim tifozët tanë ‘Dardanët’, siç kemi bërë edhe më parë”, u shpreh Foda.
Ai pranoi se mungesa e kapitenit Rrahmani është e madhe për ekipin, por theksoi se beson tek mbrojtësit e tjerë që ka në dispozicion. “Rrahmani është lider i vërtetë dhe do të na mungojë, por kemi alternativa të tjera për ta zëvendësuar”, theksoi ai.
Sa i përket kundërshtarit, trajneri gjerman vlerësoi kualitetin e lartë që ka Suedia. “Ka lojtarë shumë cilësorë, sidomos në sulm dhe është favorite në këtë përballje. Megjithatë, ne do të bëjmë çmos që ta fitojmë këtë ndeshje”, shtoi ai.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, tha se humbja nga Zvicra tashmë i takon së kaluarës.
“Ajo që ka ndodhur në Bazel është e kaluar. Nesër na pret ndeshje e re dhe duhet të japim maksimumin për të marrë pikët e plota. Për ta fituar ndeshjen duhet të tregojmë në fushë se jemi më të uritur se Suedia, ky është çelësi”, theksoi Vojvoda.
Ai shtoi se Kombëtarja ende ka gjasa reale për t’u përfshirë në garë për kualifikim. “Kemi humbur vetëm tri pikë, jo më shumë. Derisa ekzistojnë gjasat, duhet të luftojmë për synimet tona dhe të besojmë”, përfundoi Vojvoda.
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave












