Kosova
Përkujtohet 27-vjetori i rënies heroike të Agim Ramadanit, strategut të Betejës së Koshares
Në kujtim të komandantit, organizohet akademi përkujtimore në Prishtinë
Në nderim të tij, në mesditë do të organizohet një akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku pritet të marrin pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë.
Ndërkohë, çdo 9 prill, figura dhe vepra e Agim Ramadanit kujtohet përmes manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, i cili i kushtohet Betejës së Koshares – një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës çlirimtare, që shënoi thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe hapjen e një korridori strategjik për UÇK-në.
Agim Ramadani, i njohur me nofkën “Katana”, ishte një nga hartuesit kryesorë të planit për thyerjen e kufirit në Koshare dhe bashkë me bashkëluftëtarët realizoi një nga momentet më simbolike dhe historike të luftës për liri.
I lindur më 3 maj 1963 në Zhegër të Gjilanit, Ramadani u formua si ushtarak në Akademinë Ushtarake në Zagreb, duke fituar përgatitje profesionale që më vonë e vuri në shërbim të luftës çlirimtare. Përveç karrierës ushtarake, ai ishte edhe artist e krijues, duke lënë gjurmë në poezi dhe pikturë, si dëshmi e shpirtit të tij të thellë atdhetar dhe krijues.
Rënia e tij heroike më 1999 gjatë luftimeve në Koshare mbetet një nga sakrificat më të mëdha të UÇK-së, ndërsa emri i Agim Ramadanit vazhdon të jetë simbol i guximit, vendosmërisë dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës.
Përkujtimi i tij edhe sot shërben si frymëzim për brezat e rinj, duke rikujtuar se liria u arrit përmes sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve, të cilët me trimëri dhe ideal të pastër i dhanë Kosovës rrugën drejt çlirimit.
Në këtë aktivitet u rikujtua roli i Ramadanit si një ndër strategët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili udhëhoqi operacione të rëndësishme ushtarake dhe kontribuoi në një nga betejat më vendimtare të luftës, duke hapur kufirin Kosovë–Shqipëri.
“Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e betejës së Koshares. Një kufi që na kishte ndarë për pothuajse një shekull. Një kufi që të mësonte të ndaleshe, të përmbaheshe, të prisje. Dhe me kohë, u bë pjesë e mënyrës si mendonim dhe si e shihnim botën. Kjo ishte e vërteta jonë deri në fillim të vitit 1999. Beteja e Koshares, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetëkuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u shkatërrua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte ëndrrat”, tha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se në këtë përvjetor nuk kujtojnë vetëm një luftëtar të shquar, por një njeri që u bë simbol i guximit, i përkushtimit dhe i sakrificës për atdheun.
“Agim Ramadani mbetet figurë e veçantë edhe sepse te ai bashkoheshin si rrallë ndonjëherë ndjeshmëria e njeriut krijues dhe disiplina e ushtarakut profesionist. Kjo e bën edhe më të fuqishme trashëgiminë që ai na ka lënë. Në këtë përvjetor, duke kujtuar heroin Agim Ramadanin, ne kujtojmë njëkohësisht edhe rolin historik të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës. UÇK-ja ishte shprehja më e lartë e rezistencës së popullit tonë kundër shtypjes, kundër dhunës dhe kundër mohimit të të drejtave themelore. Ajo e ktheu kërkesën për liri, më falni, në qëndresë të organizuar dhe u bë bartëse e një përpjekjeje të drejtë çlirimtare që hapi rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj nderimi për dëshmorët tanë është njëkohësisht edhe nderim për idealet dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, tha se Agim Ramadani është arkitekti i thyerjes së madhe.
“Agimi është një paradoks i bukur. Si ushtarak karriere, ai zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë. Por, brenda asaj uniforme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrihte zemra fisnike e një poeti dhe piktori. Ai e dinte se liria nuk mbrohet vetëm me plumb, por edhe me kulturë dhe identitet. Brusha e tij pikturonte peizazhet e Kosovës, ndërsa vargu i tij profetik na kujtonte se edhe vdekja është e bukur kur i detyrohesh lirisë”, tha ai./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Düsseldorf organizon mbrëmje letrare me autoren Jehona Kicaj U prezantua romani debutues “ë”, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të “Deutscher Buchpreis... -
Austri
Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Francë
Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone -
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”
Jeta në Zvicër
-
Zjarri përfshin zhveshtoren e FC Basel, shtyhet ndeshja me Thun Flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale në stadiumin e Baselit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të... -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë -
Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve -
Çmimet e shtëpive në Zvicër po vazhdojnë të rriten










