Kosova
Presidentja e Kosovës pas kërkesës së ZPS-së: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër
E hënë, 9 Shkurt 2026 - 16:20
albinfo.ch
EPA/TOMS KALNINS
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ajo ka deklaruar se Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës, ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.
Osmani ka deklaruar se çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar ndër të tjera ajo.