Kosova
Prizreni, në ecejaket e vizitorëve
Rreth një orë pas kufirit me Shqipërinë, drejtimi të dredhon nga autorruga kryesore, e me autobus të fton të marrësh aventurën për një qytet mbresëlënës.
‘’Ka një ajër shumë të këndshëm, por meqenëse nuk është në rrugën kryesore, as në shteg me rëndësi, është i rrahur pak. Është i pasur me ujra shumë të shëndosha, me ajër të mirë e me vreshta të mrekullueshme, por i mungojnë pasuritë; i vijnë në ndihmë veçse një shumicë mullinjsh të vendosur në një lumë që i kalon përmes. Thonë se ky është atdheu i Perandorit Justinian’’. Kështu shprehet Mazreku më 1633 për qytetin e bukur të Prizrenit që, sipas tij, është qyteti më fisnik i kësaj krahine dhe që quhej sipas disa historianëve Justiana Prima.
Prizreni shfaqet si një perlë e gërshetuar bukur midis klasikës dhe modernes, i gurtë, i zgjatur. Në pjesën klasike sheh grupe individësh të shkujdesur në vendet më kryesore të shëtitores, në pjesën moderne gjendet lulëzimi i tregtisë, si dhe i modelit modern të banesave.
Lumëbardhi, lumi që gjarpëron më dysh qytetin, gjysma me tipare klasike, gjysma me tipare moderne, nëpër këmbët e banorëve.
Lumëbardhi mban ndonjë pisllëk po ta shohësh me kujdesin e turistit, si inerte urbane a ndonjë qese e hedhur shkujdesshëm.
‘’Nga lumi i quajtur Bistrica, që i rrjedh përmes, ushqehet me trofta dhe lloje të tjera peshqish. Ka njerëz të armatosur, meqë pikërisht aty punohen pushkë të çdo lloji, damaskine shumë të përsosura’’, thoshte Pjetër Bogdani më 1685 për Lumëbardhin.
Me një kujdes nga institucionet, edhe mund të mbillen aty pemë dekorative, të krijohen vende atraksioni për rininë dhe qytetarët.
Mund të vendosen disa mullinj tradicionalë si dikur, mund të jetë i bardhë në zemër për të ftuar të gjithë në ecejaket e vizitorëve që i përvidhen me shikime.
Qyteti i Prizrenit ka nevojë për shumë lule e lulishte, sa më shumë të ketë, aq më shumë do të ketë lezet.
Në majë të qytetit, si kurorë, ndodhet kalaja që po të marrësh të përpjetën, do një gjysmë ore. Hipur mbi kala duket sikur je Perandori Justinian, të mbushet syri me hapësirë. Mali shfaqet bukur në pjerrësinë e saj, panorama është e këndshme, sikur ato vajzat lozonjare adoleshentë të qytetit që ecin gjasme duke mos na parë.
Një pjesë e vogël e qendrës ka një pamje të qytetit të vjetër të mbushur me xhami dhe kisha karakteristike, që sikur bisedojnë me njëra-tjetrën.
Qendra është ndërtuar bukur dhe me elegancë.
Kalldrëmi prej guri shpërndahet në çdo rrugicë sa ato ndjekin vijëzimet drejt periferisë së qytetit të zgjatur dhe në kala.
Njerëzit përshëndetin njëri-tjetrin dhe duken të sjellshëm edhe kur na kundrojnë.
Estetika lë shije, syri të çlodhet.
Në syrin tonë jep një dëshirë për ta eksploruar në tiparet karakteristike të saj si Hamami i Madh i qytetit, disa xhami kryesore me tipare karakteristike të Mesjetës, disa kisha, një zinxhir i gjatë lokalesh nga të dyja anët e lumit që krijojnë një ansambël shtëpish, baresh e restorantesh.
Prizrenasit janë të bërë, të mirësjellur dhe me kulturë, të veshur bukur, të qetë, të pastër. Janë kuriozë të shohin të huajt, diku ndesh gjermanishten, diku frëngjishten, diku edhe turqishten si gjuhë kozmopolite dhe bashkohen edhe me shumë turistë dhe vendas që përbën xhiron e përditshme të njerëzve.
Rinia është e përparuar në sjellje dhe në veshje, thjesht, njerëz të bukur.
Një urë e gurtë përfaqëson dashurinë, mund të kyçësh dashurinë aty si simbol i sentimentalitetit të sinqertë dhe të çiltër. Ndalemi për foto!
Mund të ngelesh me orë të tëra për të kapur të gjitha pamjet e bukura të qytetit të Prizrenit si kujtim për kartolinë digjitale.
Mëngjes për mëngjes punonjësit pastrojnë qytetin me përkushtim.
Paradite qyteti zgjohet vrullshëm dhe gëlon aktiviteti tregtar e social. Është karakteristike punimi i filigramit të arit.
Sheh objekte, veshje, orendi gjithfarëshe që duhen eksploruar. Shitet nga tradicionalja e deri te modernja, dyqanet janë ngjitur me njëri-tjetrin, sidomos në pjesën e re të qytetit.
Ta vizitosh për së gjati pjesën klasike të qytetit është kënaqësi dhe syri të kënaqet me punimet karakteristike orientale, por diku shikon edhe shtëpi pa përkujdesjen e duhet, dyer pothuajse të këputura, dritare të prishura, mure të çara, ato flasin, thërrasin, po nuk përgjigjet kush. Të vjen keq! Do një dorë t’i ndihmojë ato!
Është bërë, na thonë, një debat i gjerë për statujën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe vlen që një rrymë moderne të evoluojë në arkitekturë, skulpturë a art me brezin e ri për ta modernizuar atë.
Realizmi socialist ndihet në sheshet e qytetit me skulpturat e heronjve të popullit nga të dyja anët e qytetit.
Tipar kjo në vendet ish-komuniste.
Vazhdon edhe në arkitekturë e në pallate, sa institucionale, ashtu edhe private.
Modernja në formë pallatesh ka tiparet e shabllonit, ku nga ana tjetër një formë klasike që duket tepër moderne për syrin të josh.
Rrugët janë të modelit qytetar, vlen për t’u theksuar një e metë e përgjithshme e qyteteve në hapësirën mbarëshqiptare.
Nuk ka shenja rrugore.
Më shumë shqiptarët orientohen me hamendje dhe me të pyetur, por kjo vështirëson punën për vizitorët.
Tek Shadervani, në qendër të qytetit, lëvizja rrjedh si Lumbardhi, ku dallohet edhe tipari kryesor i zhvillimit të njerëzve në kohë të lirë, dëshirën për argëtim. Në qendër, aty ku gumëzhitja troket në këmbët e qytetarëve dhe çezmat janë të shumta, mungon një tjetër element thelbësor, e metë në gjithë qytetet shqiptare.
Banjot publike, të munguara për nevojtarët dhe qytetarët.
Sipër Xhamisë kryesore të Sinan Pashës duhet të kërkosh disi për hotele ose mund të kërkosh në qendër të qytetit matanë urës, por sigurisht edhe me çmime pak të kripura.
Pjesët më të rëndësishme për t’u eksploruar janë Kompleksi i Shadervanit, Nënkalaja, Kalaja, Marashi, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Ura e Gurit, Hamamet, shtëpitë karakteristike të qytetarëve me buzëqeshjen e tyre.
Në drekë restorantet të ofrojnë shërbim të mirësjellur.
Çmimet janë të ulçta dhe ushqimet më shumë anojnë nga tradicionalja.
Kulinaria me tipare perëndimore do të afronte shumë turizëm kulturor dhe bashkëkohor së bashku me kulinarinë tradicionale. Nga të dyja anët e lumit ka restorante të ushqimit të shpejtë për nevojtarët, sa i gjithë lumi është i mbushur përplot me lokale që mbushen deri në grykë me njerëz e sa nuk derdhen.
Shumë qytetarë të Prizrenit janë klientë të rregullt të bareve dhe restoranteve që japin ndjesinë e ambienteve familjare.
Mbasditja në Prizren merr tiparet e klasikës në qytetari.
Muzikë, ecejake dhe argëtim.
Shtëpia e vjetër ku ka ndodhur Lëvizja Kombëtare e Prizrenit mbushet me selfie dhe duke vizituar mësojmë të gjitha dhomat e shtëpisë që gjithmonë kanë dashur ta djegin pushtuesit.
Prizreni bëhet qendra e lëvizjes së bashkimit kombëtar shqiptar me ‘Lidhjen e Prizrenit’ më 10 qershor 1878, ku dallohen figura të ndritura të Rilindjes kombëtare, si Abdyl Frashëri, Iljaz Pashë Dibra, Abdulla Pashë Dreni, Ymer Prizreni etj.
Evenimenti më i rëndësishëm kulturor që është kthyer tashmë traditë dhe nuk duhet humbur nga vizitorët është Dokufest-i.
Filloi në vitin 2002 dhe mbledh artistë të shumtë ndërkombëtarë dhe rajonalë. Përveç filmave, festivali ka netët e gjalla që shoqërohen nga aktivitete të tjera të saj si: punëtori, ekspozita DokuPhoto, festival kampe, koncerte, të cilat së bashku kthejnë qytetin në një vend metropol.
Sivjet, më 15 gusht, në kinemanë Lumëbardhi u shpallën dhe fituesit e edicionit të 20-të jubilar të DokuFest-it me një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të ftuar mysafirë, sponsorë, partnerë dhe artdashës. Në një lumë filmash të përfaqësuar nga 60 shtete, me temat e shumta, doli në krye një temë e gjakmarrjes dhe procesi i pajtimit.
Nata në Prizren me oshtimën e lumit që shtyn mendimet tutje, ecejaket, dritat dhe hallet e njerëzve të shkujdesur të çlodhë në qoftë se renditesh në ndonjë cep të qytetit, ku mund të shohësh një panoramë të gjerë të tij. Në shoqërinë e ndonjë gote vere, nata kthehet klasike dhe klasikja, siç thonë të vjetrit, ngelet gjithmonë klasike, ashtu si vera e vjetër e shoqëruar me puhizë që do të kapë mendimin në harmoninë e natës për relaks.
Të nesërmen, sa më tepër i largohesh qytetit, ai sikur të thithë në kujtesën e vet. Zonat malore zhvyshken nga moskujdesi i njerëzve dhe kjo është njëra anë e medaljes së keqe të modernitetit. Mbase duhet të kihet më rëndësi në planet afatgjata të institucioneve dhe të qytetarëve.
Prizreni zhduket në gjarpërimin e lumit, më në fund të ndjek këmbë pas këmbe kalaja që minimizohet në një thërrmijë dhe zhduket nga syri si një gjethe pishe buzë malit me aromën e tij.
Ai gjithmonë të mirëpret!
Reportazh nga Zamira Bytyqi
Foto: Arben Llapashtica
E-Diaspora
-
Kurti takoi mërgatën edhe në qytetin e Këlnit Pas takimeve të ditës së shtunës me diasporën në Mynih dhe Shtutgart, të dielën kryeministri i...
-
Kurti takoi bashkatdhetarë të shumtë në Shtutgart
-
Madrid: 12 veçarja shqiptare në prag të përfaqësimit të Shqipërisë
-
Kurti e Gërvalla takohen me mërgimtarët në Gjermani
-
Arti diplomatik i Shuk Oranit: Një iniciativë kulturore me strategji ndërkombëtare
Jeta në Zvicër
-
Municionet e ushtrisë janë gjetur në të paktën 26 liqene zvicerane Zyra Federale për Armatimet ka nisur një konkurs për ide se si mijëra tonë municione të...
-
Numri i zviceranëve që jetojnë jashtë vendit, në rritje
-
Zvicër: Udhëtimi pa bileta, a do të bëhet realitet?
-
Ish-mesfushori shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, analizon rënien e performacës së kombëtares
-
Renditja e vendeve me çmimin më të lartë të hospitalizimit, Zvicra në vendin e pestë