E-Diaspora
Qendrat kulturore përjashtohen nga ligji i ri për diasporën
Qendrat kulturore nuk do të përfshihen në Projektligjin e ri për diasporën. Statusi i tyre do të zgjidhet me një ligj të veçantë, por jo me Projektligjin e ri për diasporën, për të cilin Ministria e Diasporës ka hapur tashmë diskutim publik me pjesëtarët e diasporës së Kosovës.
Behar Isma nga Departamenti Ligjor dhe Hamdi Berbatovci, përgjegjës për financa në Ministrinë e Diasporës, kanë sjellë në Cyrih një draft të ri të projektligjit të ri për të dëgjuar vërejtjet dhe sugjerimet e mërgimtarëve të Zvicrës.
Në Qendrën Kulturore në Cyrih, të shtunën mbrëma, Behar Isma nga Departamenti Ligjor ka thënë se me një ligj të veçantë do të rregullohet funksionimi i qendrave kulturore, të cilat nuk e kishin të qartë statusin e tyre juridik që prej themelimit.
Ligji i vjetër ka qenë mjaft konfuz dhe shumë i vështirë për qendrat kulturore kosovare për shkak të procedurave të prokurimit, thanë mysafirët nga Prishtina.
Qendrat kulturore kosovare do të gëzojnë statusin e organizatave joqeveritare, ndërsa do të themelohen nga shteti, por do të funksionojnë jashtë vendit, sipas modelit të “British Council”.
Menaxherët e këtyre qendrave do t’i kenë duart e lira për të tërhequr fonde edhe në vendet pritëse dhe nuk do të jenë të varur nga procedurat e prokurimit të parapara me ligj. Përpilimi i ligjit për qendrat e kulturës do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Behar Isma nga Departamenti Ligjor në Ministrinë e Diasporës ka prezantuar edhe ndryshimet e tjera që i parasheh projektligji i ri.
Ai ka treguar se si ky projektligj definon se çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i diasporës, përcakton përgjegjësitë e secilit institucion, sidomos sa i përket realizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Debat kanë zgjuar nenet me të cilat është paraparë të rregullohet çështja e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Mysafirët nga Prishtina njoftuan të pranishmit se pas marrëveshjes që do të nënshkruhet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, do të rregullohet komponenti i financimit, e kjo e bën shumë më të lehtë dhe zbatimin në praktikë të Projektligjit për diasporën.
Ministria e Diasporës me këtë ligj do të ndajë përgjegjësitë me Ministrinë e Arsimit sa i përket mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Pastaj u tha se projektligji sqaron edhe mundësitë e investimeve të diasporës në Kosovë.
Ky projektligj parasheh edhe qarkullimin e kapitalit njerëzor dhe sidomos krijimin e mundësive që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.
Po ashtu me ligj kanë paraparë mbledhjen dhe përditësimin e bazës së të dhënave të biznesmenëve të diasporës.
Isma theksoi në fund se procedimi i projektligjit do të bëhet gjatë nëntorit dhe shumë shpejt do të jetë në duart e deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? Kushtetuta e Zvicrës parashikon që energjia të përdoret me kursim dhe në mënyrë të arsyeshme. Fondacioni... -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore -
Asnjë kaos nga ndryshimi më i madh i orareve të transportit publik në Cyrih -
Studim alarmues: Deri në 90% e akullnajave mund të zhduken deri në vitin 2100














