Kosova
FMN-ja për Kosovën: Ngadalësim i ekonomisë, rritje e inflacionit dhe rreziqe nga pasiguria politike
FMN: Ekonomia e Kosovës u rrit, por me ritëm më të ngadalshëm, inflacioni shënon rritje
Raporti vjetor i FMN-së thekson rritje të BPB-së prej 3.6% në vitin 2025, inflacion 5.7% në janar 2026 dhe rreziqe të vazhdueshme nga pasiguria politike dhe zhvillimet globale, përcjell albinfo.ch.
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar të enjten raportin vjetor për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia e vendit ka vazhduar të rritet, por me ritëm më të ngadalshëm, ndërsa inflacioni është rritur dhe rreziqet ekonomike mbeten të pranishme.
Sipas FMN-së, pas një viti të shënuar me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar. Rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) ra në 3.6% gjatë vitit 2025, nga 4.6% sa ishte në vitin 2024. Kjo rënie u ndikua kryesisht nga rënia e eksporteve dhe dobësimi i kërkesës nga sektori privat, megjithëse u kompensua pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.
FMN-ja thekson se inflacioni në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe ka arritur rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit.
Po ashtu, deficiti i llogarisë rrjedhëse është rritur në 9.2% të BPB-së, duke reflektuar rritjen e importeve, veçanërisht të energjisë dhe ushqimit.
Sa i përket projeksioneve për vitin 2026, FMN-ja parashikon se rritja ekonomike do të jetë 3.3%, ndërsa inflacioni pritet të rritet në 5.9%, për të rënë gradualisht në rreth 2% deri në vitin 2028.
“Deficiti tregtar do të mbetet i lartë për shkak të importeve të mëdha. Një nga arsyet e rritjes së deficitit në vitin 2026 pritet të jetë edhe ndalja e përkohshme e një termocentrali me qymyr për renovim”, thuhet në raport.
Në analizën e saj, FMN-ja ka përmendur edhe rreziqet kryesore që mund të ndikojnë negativisht në ekonominë e Kosovës, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe pasigurinë politike në vend, siç është procesi i zgjedhjes së presidentit.
Megjithatë, në anën pozitive, FMN-ja vlerëson se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian mund të ketë ndikim të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe punësim, nëse zbatohet me kohë dhe në mënyrë efektive.
Në rekomandimet e saj, FMN-ja i ka kërkuar Kosovës që të mos rrisë ndjeshëm shpenzimet buxhetore në vitin 2026, të ruajë stabilitetin makroekonomik, të rrisë investimet publike dhe të përmirësojë menaxhimin e financave publike. Po ashtu, është kërkuar rritje e të hyrave buxhetore, forcim i mbikëqyrjes së sektorit bankar, monitorim më i kujdesshëm i kredive dhe tregut të patundshmërive, si dhe reforma strukturore për të rritur konkurrueshmërinë.
FMN-ja ka theksuar nevojën për uljen e papunësisë, rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe përmirësimin e sektorit të energjisë.
Në përfundim, FMN-ja vlerëson se ekonomia e Kosovës ka perspektivë pozitive, por mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve politike dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Për këtë arsye, kërkohen reforma, kontroll më i madh i shpenzimeve dhe investime më të mençura, në mënyrë që vendi të arrijë rritje të qëndrueshme dhe të afrohet me standardet e Bashkimit Evropian./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
SHQIPËRIA NË ORËN E GJENEVËS: FATI DIELLOR I AMARILDO PILOS Nga hija e këtyre punishteve të pavarura të Carouge-it në shkëlqimin e vitrinave ndërkombëtare, themeluesi i... -
Baleti Kombëtar i Kosovës shkëlqen në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arriti nga Gjermania, arrestohet në Aeroportin “Adem Jashari” dhe dërgohet në burg -
Nju-Jork
Tragjedi në Manhattan: 56-vjeçarja shqiptare humb jetën pasi ra në një pusetë elektrike -
Londër
Kur i thanë “nuk je për këngëtare”, Dua Lipa vendosi të mos dorëzohet
Jeta në Zvicër
-
Hotelet zvicerane nën presion nga çmimet më të ulëta në platformat online Hotelet në Zvicër po përballen me presion në rritje për shkak të çmimeve më të ulëta... -
Swiss Lotto: Analiza 20-vjeçare tregon numrat më shpesh të tërhequr -
Rregulla të reja për patentën në Zvicër nga viti 2027 -
Debat i fortë në Bernë: 1/3 e të pastrehëve në strehimore pa dokumente -
Zvicra ndër vendet më të dobëta në Evropë në luftën kundër duhanit












