Lajme

Austri: 25 vjeçarja nga Kosova përfshihet në një aksident të rëndë, shoferi përball ishte i dehur dhe pa patentë

Gruaja nga Kosova u transportua në Spitalin Rajonal të Oberwartit për trajtim mjekësor

Një 25-vjeçare nga Kosova ka mbetur e plagosur rëndë në një aksident trafiku që ndodhi në orët e vona të së shtunës në rrugën L406, në zonën e Flattendorfit në Austri, shkruajnë mediat austriake përcjell albinfo.at

Ajo ishte duke udhëtuar me veturën e saj në drejtim të Schildbachut, kur rreth orës 23:05, në kilometrin 20.1, ndodhi një përplasje ballore me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt. Vetura tjetër drejtohej nga një 27-vjeçar austriak.

Si pasojë e përplasjes, të dy shoferët pësuan lëndime të rënda. 25-vjeçarja nga Kosova u transportua në Spitalin Rajonal të Oberwartit për trajtim mjekësor.

Shoferi austriak mbeti i bllokuar brenda automjetit dhe u nxor nga ekipet e emergjencës. Ai fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Hartbergut, ndërsa më pas u transportua me helikopter në Spitalin Rajonal të Gracit. Gjendja e tij raportohet kritike, transmeton albinfo.at

Sipas autoriteteve, testi i alkoolit ndaj 25-vjeçares nga Kosova ka rezultuar negativ. Ndërkohë, 27-vjeçari austriak është gjetur në gjendje të rëndë të dehur dhe po drejtonte automjetin pa patentë të vlefshme.

Rruga L406 u mbyll për rreth një orë e gjysmë për shkak të hetimeve dhe largimit të automjeteve nga vendi i aksidentit.