Lajme
Ramadush Emini: Lidhjen e Kosovës me mërgatën ta bëjmë prioritet kombëtar
Kandidati i LDK-së nga diaspora: “Si deputet i ardhshëm, do të angazhohem për të fuqizuar lidhjen mes Kosovës dhe mërgatës, duke e bërë prioritet kombëtar”

Për zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025, interesimi nga diaspora ka shënuar rritje të ndjeshme, me afër 105 mijë votues të regjistruar për të dhënë votën e tyre. Ky numër pothuajse dyfishon atë të zgjedhjeve të vitit 2021, kur 56 mijë qytetarë nga diaspora votuan, duke përfaqësuar rreth 5% të numrit të përgjithshëm të votuesve.
Në zgjedhjet e përmendura, diaspora ishte një faktor kyç, duke kontribuar me 10% të votave për partinë fituese, Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Ky ndikim i madh ka shtyrë partitë politike të përqendrojnë vëmendjen e tyre drejt diasporës, duke përfshirë kandidatë të shumtë nga komunitetet shqiptare në Evropë dhe ShBA.
Në këtë garë të re, partitë si LDK dhe PDK, kanë gjashtë respektivisht 4 kandidatë nga diaspora, ndërsa VV (Guxo) 2 dhe AAK përfaqësohet nga një kandidat.
Platforma mediale albinfo.ch ka intervistuar kandidatin e LDK-së, Ramadush Emini, afarist shqiptar i suksesshëm në Zvicër
Emini, në intervistën për albinfo.ch ka thënë se do të bëjë çmos që shqiptarëve të diasporës t’iu ofrojë ndihmën e duhur që ata të ndjehen vendës dhe të ndihmuar në kohën kur kanë nevojë. Kandidati për deputet, Ramadush Emini, është me prejardhje nga Vitia e Gjilanit dhe një kohë të gjatë jeton e punon në Zvicër.
Albinfo.ch: Ju, prej vitesh jetoni jashtë Kosovës, në Zvicër. Nuk keni qenë anëtar i ndonjë partie. Aderimi në LDK dhe kandidimi për deputet erdhën disi befasishëm. A ka ndonjë shkas konkret që ju shtyri të merrni këtë hap?
Ramadush Emini: Për vite mërgata i ka qëndruar pranë Kosovës, duke qenë katalizator për zhvillim ekonomik, falë dashurisë e mallit që kemi për atdheun. Pavarësisht punës së madhe në Zvicër, e them gjithmonë që zemra ime ka rrahur për Kosovën gjithmonë dhe e falënderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin Lumir Abdixhiku që e ka bërë mërgatën pjesë të planit qeverisës, e pastaj edhe na ka ofruar mua e shumë personaliteteve tjera me përvojë të gjatë jashtë Kosovës, për të krijuar listën më të përgatitur nga të gjitha subjektet politike. Të jem pjesë e LDK-së, partisë së presidentit historik Ibrahim Rugova është nderi i jetës time. Tashmë e gjithë përvoja dhe vizioni im janë në shërbim të Kosovës.
Albinfo.ch: Ju jeni një afarist i suksesshëm në Zvicër. Cilat janë, sipas jush, arsyet pse zgjedhësit e diasporës duhet të votojnë LDK? Çka në të vërtetë ka bërë kjo parti për mërgimtarët?
Ramadush Emini: Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë gjithmonë mbështetëse e mërgatës, falë edhe lidhjeve të forta me degët tona jashtë Kosovës të cilat udhëhiqen nga njerëz të përgatitur e që e duan vendin e tyre, por edhe me promovimin e lidhjeve mes mërgatës dhe institucioneve vendore. Diaspora shqiptare ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe LDK e ka njohur dhe mbështetur këtë kontribut. Programi ynë është i qartë dhe përfshin politika konkrete për lehtësimin e integrimit dhe përfshirjes së mërgimtarëve. Ne do të shkëmbejmë bashkë përvoja, do të shkëmbejmë kuadro dhe në fakt jam shumë i lumtur sepse kanë mbetur edhe pak ditë derisa të fillojmë implementimin e nismave tona në Qeverinë në krye me Lumir Abdixhikun, kryeministër të Kosovës.
Albinfo.ch: A mendoni se pas pothuaj shuarjes së degëve të partive politike në diasporë, riaktivizimi i tyre do t’i bindë mërgimtarët?
Ramadush Emini: Aktivizimi i degëve të partive politike në diasporë është një hap shumë i rëndësishëm për të rikthyer besimin e mërgimtarëve. Në veçanti, LDK ka punuar për vite me radhë intensivisht për të rikthyer një komunikim të drejtpërdrejtë me diasporën dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Kjo është edhe arsyeja pse planprogrami ynë i ka adresuar ato në mënyrë efektive, me kujdes të veçantë.
Albinfo.ch: A ka LDK ndonjë ofertë më specifike për diasporën, në krahasim me partitë tjera garuese?
Ramadush Emini: LDK ka përfshirë në listën e saj zgjedhore gjashtë kandidatë nga diaspora, një dëshmi e rëndësisë që i kushton mërgatës. Pra, jemi partia që ka më së shumti kandidatë nga mërgata, që përfaqësohen nga shtete të ndryshme, gjë që edhe në Qeverinë e ardhshme do të na bëjë më të lehtë mundësinë për të punuar e për të sjellë projekte nga të gjitha shtetet ku ka shqiptarë. Ne kemi planifikuar politika konkrete për të mbështetur shkollat shqipe, për të lehtësuar investimet e diasporës në Kosovë dhe për të fuqizuar lidhjet institucionale me mërgimtarët. Konkretisht pajisja e fëmijëve të mërgimtarëve me dokumente të Kosovës është një çështje e rëndësishme, pasi sipas ligjeve të Kosovës, nëse një individ nuk e regjistron shtetësinë deri në moshën 18-vjeçare, mund të humbasë të drejtën e shtetësisë. Angazhimi im do të fokusohet që fëmijët e mërgimtarëve të regjistrohen në regjistrin civil të Kosovës. Prindërit duhet ta bëjnë këtë regjistrim pranë ambasadës ose konsullatës së Kosovës në vendin ku jetojnë.
Albinfo.ch: Votimi për herë të parë i diasporës shqiptare të Kosovës në zgjedhjet e Kosovës, nëpër përfaqësitë konsullore dhe diplomatike, a mund të vlerësohet si një akt kombëtar dhe historik?
Ramadush Emini: Absolutisht, ky është një hap historik që forcon lidhjet demokratike mes Kosovës dhe mërgatës. Është një njohje e rëndësishme për rolin që diaspora luan në zhvillimin e vendit dhe një mundësi për mërgimtarët që të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes.
Albinfo.ch: Çfarë do të bëni për diasporën nëse bëheni deputet dhe a jeni në dijeni të problemeve të mërgimtarëve?
Ramadush Emini: Si deputet i ardhshëm, bashkë me kryeministrin Lumir Abdixhiku do të vazhdojmë të angazhohemi për të fuqizuar lidhjen mes Kosovës dhe mërgatës, duke e bërë këtë një prioritet kombëtar dhe historik. Jam plotësisht i vetëdijshëm për sfidat dhe shqetësimet e mërgimtarëve tanë, si burokracia, mungesa e mbështetjes për investimet dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në vendimmarrje. Do të punojmë për të krijuar lehtësi fiskale dhe administrative që do të inkurajojnë investimet e diasporës dhe do të garantojnë siguri juridike dhe transparencë për investitorët. Një fond i posaçëm do të mundësojë bashkëfinancimin e projekteve që mbështesin zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe teknologjik të Kosovës. Gjithashtu, do të angazhohem për krijimin e kuotave të rezervuara për përfaqësuesit e diasporës në Kuvendin e Kosovës, duke siguruar një përfaqësim dinjitoz dhe të drejtë. Do të punoj për hartimin e një strategjie kombëtare për integrimin e mërgatës në proceset politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Për më tepër, mërgata do të jetë pjesë e ndërlidhjes mes shkollave profesionale dhe tregut ndërkombëtar, duke krijuar partneritete dhe mundësi trajnimi për të rinjtë kosovarë. Përmes këtyre veprimeve, do të sigurojmë që zëri i mërgatës të dëgjohet dhe të bëhet një forcë kryesore në zhvillimin e Kosovës.
Albinfo.ch: Janë disa tema që përfliten prej vitesh si “tema tipike të diasporës”: Kartoni i Gjelbër, mbështetja e shkollës shqipe në diasporë, përfaqësimi i saj në parlament etj. A janë këto problemet kryesore që ka diaspora jonë, sipas jush?
Ramadush Emini: Po, këto janë disa nga çështjet kryesore. Kartoni i Gjelbër mbetet një problem praktik që kërkon zgjidhje urgjente, ndërsa mbështetja për shkollën shqipe është jetike për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në mërgim. Do të punoj për zgjidhjen e këtyre sfidave.
Albinfo.ch: Po jashtë diasporës, cilat çështje mendon se do ta marrin më shumë vëmendjen dhe angazhimin tuaj si deputet?
Ramadush Emini: Si deputet i ardhshëm do të angazhohem për zhvillimin ekonomik, krijimin e mundësive për punësim dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë, duke siguruar akses të barabartë për të gjithë qytetarët. Do të punoj për luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës në administratën publike, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës.
Albinfo.ch: Si e konceptoni këtë përfaqësim të diasporës në parlament? Çfarë do të ju dallojë ju nga një deputet tjetër “rezident”? Keni ndonjë ide më specifike për përfaqësimin e diasporës? Ku do të fokusoheni më shumë si deputet?
Ramadush Emini: Përfaqësimi i diasporës në parlament duhet të jetë i orientuar drejt krijimit të politikave konkrete që lehtësojnë investimet dhe mbështesin interesat e mërgimtarëve. Si dikush që ka jetuar në diasporë, unë sjell një perspektivë unike dhe një kuptim të thellë të sfidave të tyre.
Albinfo.ch: Nëse zgjidheni deputet, cila është çështja e parë që do ta adresoni në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës?
Ramadush Emini: Çështja e parë do të jetë lehtësimi i procedurave administrative për mërgimtarët, duke filluar me heqjen e barrierave për Kartonin e Gjelbër dhe njohjen e diplomave të diasporës.
Albinfo.ch: Nëse zgjidheni deputet, ju sigurisht duhet të qëndroni të shumtën e kohës në Kosovë. A mendoni që mbase të ktheheni përgjithmonë atje?
Ramadush Emini: Kosova është shtëpia ime dhe kam një lidhje të fortë me të. Nëse zgjidhem deputet, do të qëndroj në Kosovë për të kryer detyrën time me përkushtim, dhe natyrisht, kthimi i përhershëm është një opsion që unë dhe familja ime po e shqyrtojmë seriozisht.
Artikull zgjedhor!
E-Diaspora
-
Shqipëri: A do të lejohet diaspora të votojë me dokumente të vendeve tjera në zgjedhje? Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi në Kuvend se ndryshimet në Kodin...
-
17 Vjet Pavarësi: Diaspora, drita e ditëve të errëta të Kosovës e forca e çlirimit të saj
-
17 vjetori i 17 Shkurtit, temë bosht e numrit të ri të revistës albinfo.ch
-
Hobi i veçantë i Egzonit që po mirëpritet në rrjetet sociale
-
Në Vjenë festohet 17-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Numri i kërkesave për azil në Zvicër ka rënë me më shumë se tetë për qind në vitin 2024 Gjithsej 27.740 kërkesa për azil janë paraqitur në Zvicër në vitin 2024. Kjo është një rënie...
-
Mjekët zviceranë të transplantit e mbajnë zemrën gjallë për një kohë rekord
-
60 vjeçarit amerikan i ndalohet kthimi në Zvicër pas tejkalimit të vizës
-
Vendimi lidhur me osteopatët që operojnë me diploma të huaja në Zvicër
-
Nga pagat tek fluturimet e reja: Ndryshimet që priten në Bazel këtë vit