Tematike

Reperët shqiptarë, heronjtë e skenës underground të Zvicrës

Me numrin e klikimeve në këngët e tyre në Youtube ata mund të krahasohen me yjet e mëdhenj të repit si Bligg ose Stress...

Ata flasin shqip dhe bëjnë rep në dialektin zviceran të gjermanishtes. Në internet dhe në pauzat mes orëve ata janë bërë qëmoti kult. “Reperët e Ballkanit tash ia mësyjnë pushtimit të gjeneratës Ü-21. Kështu e fillon revista zvicerane “Beobachter” artikullin e gjatë me titullin “Heronjtë misteriozë të repit në dialekt”, që bën fjalë për të rinjtë shqiptarë që bëjnë muzikë rep.

Ky shkrim është një vështrim i thelluar në rrënjët sociokulturore që kanë mundësuar një mënyrë të tillë shprehjeje muzikore të të rinjve ballkanikë, në fakt kryesisht shqiptarë, të Kosovës. Një muzikë që nga “underground-i” ku ndodhet, pasi ka fituar zotërim të plotë në rrjetet sociale të internetit, po përgatitet të “pushtojë edhe sallonet” e muzikës zvicerane.

Me numrin e klikimeve në këngët e tyre në Youtube ose në Myspace ata mund të krahasohen me yjet e mëdhenj të repit si Bligg ose Stress. Nga gjenerata Ü-21 deri më tash të pazbuluar, të ashtuquajturit reperë të huaj kanë arritur tashmë status kulti në internet.

Granit Dervishaj ose “Baba Uslender” siç njihet me emrin e tij artistik, është aktualisht figura më përfaqësuese e këtij trendi të muzikës, thotë gazeta. Me stilin e tij gangsterrap ai është bërë për një kohë të shkurt një yll në rrjetin Youtube. Së shpejti ai do të publikojë albumin e tij të parë “Schwarzi Schoof” (Delja e zezë).

Një nga studiot më të suksesshme ku incizohet kjo lloj muzike është Label Gilla Doxx, që është ide e tre shqiptarëve të rinj. Ata, për pak para ofrojnë videoproduksione të cilat pastaj i emetojnë përmes televizionit të tyre SwissTV-Kanal. Videoklipet e tyre tashmë janë klikuar 2.2 milionë herë.

Muzika që bën kjo valë shumë specifike e këngëtarëve me rrënjë nga Ballkani, nuk ka pasur si të mos u binte në sy edhe ekspertëve. Redaktori i muzikës në radion drs3, Sascha Rossier, për shembull thotë se nuk është e mundur të anashkalosh një trend të tillë muzike.

Në mesin e këngëve të panumërta, ka shumë krijime të dobëta, por është edhe një numër shumë cilësor, si për nga muzika ashtu dhe punimi shumë profesional i videoklipeve që prezantohen në youtube, thotë ai.

Rossier madje thotë se “është përparësi në skenën e hip-hopit të jetosh diku në Schwamendingen (paralagje e Cyrihut me shumë të huaj) dhe të flasësh me zhargonin ballkanik. Ndërkaq kush ka shtëpinë në Zürichberg (lagja më e pasur e Cyrihut) definitivisht nuk është cool me parametrat e kësaj muzike!. Por pikërisht në këto lagje synojnë të arrijnë edhe reperët e rinj ballkanikë.

“Baba Uslender” ose Grant DervishajBaba Uslender bart një zingjir ari me një shqiponjë dykrenare shqiptare në gjoks. 21 vjeçari nga Hochdorfi i Lucernit është bërë yll në skenën e rapit të të huajve. Kjo vërehet shpejt nëse të bie të shëtisësh me të nëpër qytet. Vazhdimisht do t`ua ndërprejnë bisedën fansat që e lusin për të bërë një fotografi me të. Videot e tij janë klikuar mbi 500 mijë herë brenda një kohe të shkurtë. Theksi i tij shprehimisht shqiptar në këngët që këndon, e bën atë të dallueshëm në skenën e repit. 

Graniti është lindur në Zvicër dhe, deri sa nuk filloi të paraqitej si “Baba Uslender” fliste një gjermanishte perfekte në dialektin zviceran. Ai thotë se qysh kur ka pasur 11 vjet ka filluar me shkrimin e teksteve. Fletoret e matematikës i ka mbushur me tekste këngësh, gjatë kohës sa nxënësit tjerë dëgjonin mësuesin e matematikës!

Graniti i njeh paragjykimet me të cilat ndeshen të huajt në Zvicër në tekstet e tij, natyrisht, ai i çon ato deri në absurd. “Kjo u pëlqen shumë të huajve, sepse e njohin veten brenda tyre. Por edhe zviceranëve, sepse unë jam qesharak”.

Ai ka vendosur të braktisë punën si depoist që të mund t`i përkushtohet tërësisht albumit të tij të parë. “Vitin e ardhshëm unë me këtë album do të nominohem në Swiss Music Awards” thotë ai me vetëbesim. Dhe shton se, si shqiptar, do ta ndryshojë repin zviceran.

Nita Rexhepi: „Murda Mama“

Personazhi i radhës i skenës shqiptaro-zvicerane të hip hop-it është Nita Rexhepi ose “Murda Mama”. Nita është duke përfunduar shkollimin e saj si komercialiste në një bankë. Nofkën “Murda” ajo e mban për tu identifikuar me ashpërsinë e repit dhe për faktin se ushtron sporte luftarake ndërsa me “Mama” tregon vajzën e kultivuar dhe të gatshme për ndihmë.

Gazeta e përshkruan dukjen e 18 vjeçares shqiptare me flokët e verdhë e të gjatë dhe me veshjen e saj më tepër si “të një nxënëseje të ndonjë gjimnazi privat se sa të një repereje”. “Gjithmonë kam ndjerë nevojë që të shprehem dhe që t`ua bëj të njohura të tjerëve ndjenjat e mia” thotë Nita Rexhepi.

Vajza me shtetësi zvicerane thotë thjesht: “Unë jam shqiptare. Dhe kjo do të thotë: në rend të parë e kam familjen pastaj shkollimin dhe vetëm pas tyre vjen muzika”. Ajo e konsideron këtë të fundit si hobi, ndërsa të ardhmen e saj profesionale e sheh në ndonjë bankë. Thotë se nuk ka ambicie për tu bërë e famshme.

Nita këndon rep pshqip për familjarët, gjermanisht (dialekt) për miqtë dhe anglisht për të tjerët. Këngën e saj “Run” e kanë dëgjuar më shumë se 15000 mijë veta. Ndonëse thotë se “nuk e  ka idenë” se prej nga i ka ardhur suksesi, ajo supozon se kjo ka të bëjë me komunitetin shqiptar. “Të huajt mbështesin njëri tjetrin më shumë se zviceranët”, thotë ajo.  Nita thotë se nuk dëshiron të jetë sikur vajzat tjera që në muzikën rep shfrytëzohen të shumtën si dekoracion. “Unë nuk jam as e marrë dhe as e nënshtrueshme”, sqaron ajo.

Blerim Tatari: “The B”

Personazhi i tretë i shkrimit të revistës “Beobachter” është Blerim Tatari nga Winterthuri, i njohur me emrin artistik “The B”. “Ai ka pamjen që do të donin ta kishin shumica e reperëve. Është i madh me trup, i plotë dhe ka fytyrën me vrragë. Ka kokë të rruar dhe tatuazhe. Blerimi është një i tillë, pranë të cilit në autobus nuk do të ulej askush, edhe nëse nuk ka vende të tjera të lira”.

Në krahë ka të tetovuar emrat e vëllait Naimit dhe motrës Arditës. B-ja në pjesën e prapme të veshit është për nënën, Besën.

Tatari ka pasur vetëm 4 muaj kur familja e tij pati ikur nga Kosova dhe qe vendosur në Zvicër. Si vogëlush 3 vjeçar atij i është djegur gjysma e fytyrës nga zjarri i skarës. “Monstrum” e kanë quajtur atë më vonë në shkollë. Por ai vazhdon shkollimin dhe merr nota të mira. Pak para se të mbushte 12 vjetët, Blerimit i vdes babai nga kanceri. Një humbje që e përcjell 22 vjeçarin edhe sot dhe të cilën e pasqyron edhe në muzikën që krijon. Prejse ka vënë në Youtube këngën “Fotialbum”, kanë filluar ta njohin njerëzit rrugës.

Sot ”The B” bën rep për studion muzikore “Physical Shock” që u takon dy shokëve. Ata punojnë në punë tjera, me ndërrime dhe gjithë atë që e fitojnë, e derdhin në këtë studio.“Shumë e çuditshme”, thotë Blerimi kur mendon se si është bërë i njohur. Papritur, ai u bë idhull për kaq shumë të rinj. Por secilit që dëshiron t`i bashkohet, ai i thotë: “Shkolla dhe mësimi janë më të ëndësishme”.

Ndërkohë që vetë, Tatari është i papunë. “Jam realist”, thotë ai. Është i vetëdishëm se duhet të fitojë për të jetuar. Përgjatë gjysmë viti, pas përfumndimit  të zanatit kishte punuar. Prej atëherë Blerimi është duke kërkuar punë. Ndërkohë “The B” bën muzikë.