Kosova
Roli i vendeve të vogla në epokën e IA-së: Perspektiva e Kosovës
Në panelin “Motori ekzekutiv i Evropës: Fitimi i garës së inteligjencës artificiale përmes specializimit” (Europe’s Execution Engine: Winning the AI Race Through Specialization), përfaqësues të teknologjisë dhe politikave digjitale diskutuan rolin e vendeve të vogla si Kosova në garën globale për inteligjencën artificiale, duke theksuar nevojën për rregullore dinamike, sovranitet digjital dhe avantazhin e inovacionit përmes specializimit.
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në platformën Shtëpia e Kosovës (House of Kosova), u zhvillua paneli me temë “Motori ekzekutiv i Evropës: Fitimi i garës së inteligjencës artificiale përmes specializimit”, i moderuar nga Amy Peck, strategiste e teknologjive të aplikuara. Në këtë diskutim morën pjesë Alex Pentland, shkencëtar i të dhënave në Stanford HAI dhe bashkëthemelues i MIT Media Lab; Lulëzon Jaxhiu, këshilltar i Kryeministrit për Teknologjinë e Informacionit dhe CTO dhe Ilir Aliu, strateg i Teknologjisë dhe Komunikimit.
Debati u përqendrua në konkurrencën globale në inteligjencën artificiale, në balancën mes inovacionit dhe rregullimit, si dhe në rolin që mund të luajnë vendet e vogla përmes specializimit, fleksibilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Lulëzon Jaxhiu, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Teknologji të Informacionit dhe CTO i Qeverisë, vlerësoi qasjen e Bashkimit Evropian si një nga përpjekjet më serioze dhe më të guximshme për të adresuar rreziqet e inteligjencës artificiale, duke theksuar se rregullimi është i domosdoshëm, por duhet të ecë me ritmin e zhvillimit teknologjik.
“Parimet janë të drejta dhe logjika është e mirë, por kur hyhet në shumë detaje, rregulloret bëhen tepër komplekse. Ne kemi nevojë për një qasje më dinamike që përshtatet me shpejtësinë e inovacionit. Është shumë me rëndësi që BE i ka hapur dyert me fabrika, antena si platforma për vende aspiruese për të qenë pjesë e BE-së, siç është Kosova. Kjo është shumë e mirë sepse na hap dyer në kuptimin e qasjes në këtë infrastrukturë të inteligjencës artificiale por, që është mirë edhe për BE-në sepse e zgjeron atë mundësinë e talenteve. Vendet si Kosova kanë shumëçka për të ofruar nga popullata e re, por edhe në kuptimin e sektorit shumë të gjallë e dinamik teknologjik të ndërtuar me shumë vite. Jemi mjaft mirë e të gatshëm për të kontribuuar në këtë qasje evropiane të inteligjencës artificiale” u shpreh Jaxhiu.
Ai nënvizoi se debati sot ka kaluar nga sovraniteti i të dhënave në një koncept më të gjerë të sovranitetit digjital dhe teknologjik.
“Sot nuk flasim më vetëm për sovranitet të të dhënave, por për sovranitet digjital dhe teknologjik. Çdo varësi në hallkat kyçe të inteligjencës artificiale krijon cenueshmëri strategjike për shtetet, përfshirë edhe vendet e vogla si Kosova,” theksoi ai.
Në një tjetër moment të diskutimit, Jaxhiu u ndal edhe te mësimet që shoqëritë po nxjerrin nga përballja me teknologjitë e reja: “Ne si shoqëri po mësojmë ende se si të jetojmë me inteligjencën artificiale. Qasja e Bashkimit Evropian duhet parë si një nga përpjekjet më serioze dhe më të guximshme për t’u marrë me një çështje jashtëzakonisht komplekse.”
Nga ana tjetër, Ilir Aliu – Strateg i Teknologjisë dhe Komunikimit, vuri në pah avantazhin që kanë vendet e vogla për të eksperimentuar dhe për të ndërtuar modele inovative më shpejt se ekonomitë e mëdha industriale.
“Vendet e vogla si Kosova kanë një avantazh real: nuk kanë barrën e industrive të mëdha dhe strukturave të vjetra. Kjo u jep mundësi të krijojnë ‘sandbox’ teknologjikë dhe të testojnë zgjidhje të reja në mjedise të sigurta dhe fleksibile,” tha Aliu.
Ai theksoi se korporatat e mëdha shpesh janë të kufizuara nga infrastruktura e ndërtuar për dekada, ndërsa startup-et dhe ekosistemet e reja kanë më shumë liri për të inovuar.
“Një startup mund të fillojë nga zero dhe të eksperimentojë menjëherë, ndërsa kompanitë e mëdha duhet të mbrojnë sisteme që kanë funksionuar për 20 apo 30 vjet. Pikërisht këtu vendet e vogla dhe ekosistemet e reja mund të fitojnë përparësi përmes shpejtësisë dhe guximit për të provuar zgjidhje të reja,” u shpreh Aliu.
Në këtë kontekst, Aliu shtoi se potenciali i Kosovës qëndron në aftësinë për të ndërtuar politika digjitale dhe modele inovacioni pa u ngarkuar me struktura të vjetra industriale.
“Përparësia e vendeve si Kosova është se mund të ndërtojnë politika digjitale dhe modele inovacioni pa u ngarkuar me strukturat e vjetra industriale. Kjo u jep mundësi të specializohen shpejt në fusha konkrete të inteligjencës artificiale dhe të bëhen konkurruese në nivel rajonal dhe evropian,” theksoi Aliu.
Gjithashtu, rëndësinë e rinisë si përbërësi kryesor i strukturës demografike të Kosovës e potencoi edhe Ilir Aliu, strateg i Teknologjisë dhe Komunikimit, duke e cilësuar këtë si një avantazh strategjik për zhvillimin teknologjik dhe inovacionin.
“Një prej forcave të Kosovës është se kemi një bagazh që shumë shtete nuk e kanë. Gjermania, për shembull, ka popullatë të moshuar dhe probleme demografike, ndërsa ne kemi popullatë të re. Megjithatë, duhet të ndodhë së pari transformimi mendor, sepse ka shumë njerëz që duan të qëndrojnë në punët ku janë rehat, por shpesh mungon inovacioni në punë të tilla,” tha Aliu.
Panelistët u pajtuan se, ndonëse konkurrenca globale në inteligjencën artificiale zhvillohet në shumë nivele – nga infrastruktura dhe modelet, deri te të dhënat dhe qeverisja, bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet i domosdoshëm, pasi hapësira digjitale nuk njeh kufij dhe rreziqet janë të përbashkëta.
Në këtë kontekst, prania e Kosovës në Davos përmes House of Kosova u vlerësua si një platformë strategjike për ta pozicionuar vendin si aktor aktiv në debatin global mbi inteligjencën artificiale, duke theksuar potencialin e saj në specializim, talent të ri dhe politika digjitale inovative.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Kosova, një shtet i ri, por me zgjidhje të mëdha Pjesëmarrja e Kosovës në World Economic Forum përmes platformës House of Kosova po merr gjithnjë e... -
Gjenevë
Rame Dardania rikthehet në Gjenevë me ekspozitën “Les émotions” -
Kurti pret nxënësit fitues të 16 medaljeve në Olimpiadën NEO në SHBA -
Finlandë
Vetëm 19 vjeçe, Hana Orllati magjeps jurinë e The Voice of Finland -
Belgjikë
U qëllua për vdekje, humb jetën shqiptari pas të shtënave me armë zjarri në Belgjikë
Jeta në Zvicër
-
Sondazh: Zviceranët duan më shumë shtëpi, por pa dendësim Shumica e banorëve zviceranë pajtohen se nuk ka mjaftueshëm strehim në dispozicion në rajonin e tyre... -
Propozimi zviceran kundër imigracionit lë shumë pyetje pa përgjigje -
Marigona Sun: Shtëpia juaj luksoze në Kosovë -
Në Cyrih raportohet çdo ditë një ngacmim seksual -
Zhurma e aeroportit shkakton pakënaqësi në komunat e pasura të Zyrihut












