Lajme

Rrezik shembjeje akulli në Liqenin Cauma

Autoritetet komunale paralajmërojnë për rrezikun e shembjes së akullit në një liqen alpin të ngrirë

Autoritetet komunale në Flims, në kantonin Graubünden, kanë ngritur alarmin për rrezikun në rritje të aksidenteve në Liqenin Cauma, i cili aktualisht është i ngrirë, përcjell albinfo.ch.

Sipas tyre, numri në rritje i vizitorëve ka shtuar ndjeshëm rrezikun, pasi shumë persona – përfshirë edhe fëmijë – vazhdojnë të ecin mbi akull, pavarësisht paralajmërimeve të qarta. Autoritetet theksojnë se situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, për shkak të zgavrave dhe boshllëqeve që ndodhen nën sipërfaqen e akullit, të cilat mund të çojnë në shembje të papritura.

Për të parandaluar një tragjedi të mundshme, komuna ka ndërmarrë masa shtesë sigurie, duke vendosur më shumë tabela paralajmëruese dhe duke pajisur më mirë shërbimin zjarrfikës. Këto masa synojnë të mundësojnë një reagim të shpejtë në rast emergjence.