Kosova
Rubin përfundon dëshminë treditore në Gjykatën Speciale
James Rubin përfundon dëshminë treditore në Gjykatën Speciale në mbrojtje të ish-udhëheqësve të UÇK-së
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, përfundoi të mërkurën dëshminë e tij tre-ditore në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përcjell albinfo.ch.
Të katër akuzohen për krime të pretenduara të luftës, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm dhe që nga nëntori i vitit 2020 ndodhen në paraburgim.
Rubin e përshkroi pjesëmarrjen e tij në proces si një privilegj, duke theksuar rëndësinë e dhënies së dëshmisë për të sqaruar rrethanat dhe ngjarjet gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Është shumë e rëndësishme që isha këtu dhe iu thashë mendimet e mia dhe dhashë dëshminë time në këtë çështje,” tha ai para se të largohej nga banka e dëshmitarëve.
Gjatë ditës së tretë të dëshmisë, Rubin deklaroi se kishte mësuar nga James O’Brien se Hashim Thaçi ishte kërcënuar për jetën në shkurt të vitit 1999 dhe për këtë arsye nuk kishte mundur ta nënshkruante menjëherë Marrëveshjen e Rambujesë.
Ai sqaroi se informacionet për kërcënimin e Thaçit i kishte marrë edhe nga ambasadori Christopher Hill dhe se mesazhet e transmetuara nga Thaçi kishin kaluar përmes kanaleve të ndryshme diplomatike.
Rubin gjithashtu krahasoi Adem Demaçin me Nelson Mandelën, duke theksuar ndikimin e tij moral mbi UÇK-në dhe lëvizjen për çlirim. Ai kujtoi se Demaçi kishte qenë kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, duke i dhënë Thaçit mbështetje ideologjike dhe duke pasur një rol vendimtar në vendimmarrje.
Rubin shpjegoi se Thaçi kishte kërkuar këshillën e Demaçit për të shtyrë disa vendime, duke treguar se lidhja e tyre ishte strategjike dhe e domosdoshme në ato momente historike.
Ish-diplomati amerikan sqaroi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë nuk kishte parë brigada, batalione apo njësi formale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Ai theksoi se disa persona kishin uniforma dhe disa jo, duke mos i konsideruar si një polici ushtarake të strukturuar. “Kam lexuar komunikata, por më shumë i kam parë si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se që ishte në realitet,” shtoi Rubin.
Rubin u pyet gjithashtu lidhur me ngjarje specifike të përfshira në aktakuzë, por disa herë deklaroi se nuk i kujtoheshin të gjitha detajet. Ai kritikoi mbajtjen në paraburgim të të akuzuarve për më shumë se pesë vite, duke e konsideruar si padrejtësi, pasi ata kishin bashkëpunuar me gjykatën dhe ishin dorëzuar vullnetarisht.
Rubin theksoi se qëndrimi i gjatë në paraburgim lidhet më shumë me politika sesa me drejtësi, duke shtuar se ky nuk ishte vizioni që kishte ndjekur ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë themelimit të Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.
Në ditët e mëparshme, Rubin kishte sqaruar gjithashtu se nuk kishte parë ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së apo komandantë të rangut të lartë në terren, duke përmendur se kishte vërejtur vetëm një tendë me disa karrige në malet e Berishës dhe Thaçin duke diskutuar me komandantët e pranishëm.
Seanca përfundoi me pyetje nga trupi gjykues dhe vazhdoi me pyetjet e avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Misetiq. Rubin ishte dëshmitari i parë që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e solli në gjykatore. Pas tij pritet që të dëshmojnë edhe dhjetë dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
E-Diaspora
-
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit Reperi nga Cyrihu, EAZ, dhe kandidati i FDP-së nga Zurich Stapi, Përparim Avdili, kanë realizuar një... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe -
Kosova/Diaspora
Kur tregu i banesave i shërben diasporës, jo qytetarit të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Presidenti Parmelin u përgjigjet kritikave nga Italia "Kemi një ndarje pushtetesh" – Parmelin u përgjigjet kritikave nga Italia në lidhje me zjarrin në... -
Skiatori 71 vjeçar vdes jashtë pistës në Zermatt, Valis -
Papunësia afatgjatë në Zvicër në rritje prej një viti -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Nestlé e dinte për formulën e infektuar për foshnje që nga nëntori









