Lajme
Serbia blen armatime nga Rusia, pavarësisht kërcënimeve për sanksione
Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë
Është bërë e ditur se Serbia ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të mundshme amerikane kundër shtetit ballkanik, që zyrtarisht synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva se sistemet kundërajrore Pantsir S1 janë blerë pas këshillave nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Blijeni Pantsirin. Është treguar shumë i efektshëm në Siri”, citoi ai presidentin rus t’i ketë thënë në njërin nga takimet e tyre të shpeshta kohët e fundit.
“Ky sistem kundërajror është shumë efektiv kundër dronëve që janë bërë shumë thelbësorë në luftën moderne”, tha presidenti serb.
Me gjithë synimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia nën udhëheqjen populiste të presidentit Vuçiç ka forcuar lidhjet politike e ushtarake me aleaten e saj sllave, Rusinë.
Po ashtu, Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikës së saj ndaj Ukrainës.
Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në Perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.
Presidenti serb Vuçiç tha se shpreson që nuk do të ketë sanksione, sepse ai ka folur hapur për blerjen e sistemeve Pantsir. Ai tha se beson që kërcënimi me sanksione ka të bëjë me shumë me blerjen e mundshme të sistemeve kundërajrore S-400 që kanë një gamë shumë më të gjerë veprimi dhe janë armë sulmuese.
Serbia mori të shtunën dy nga gjashtë sistemet e raketave të blera ruse, vetëm disa ditë pasi që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, ku deklaroi se bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve ka arritur në një nivel “thelbësisht” të ri. /VOA/ *Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres Koha e Krishtlindjeve sjell fluks të lartë udhëtarësh në aeroportet zvicerane. Aeroporti i Cyrihut pritet të... -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë













