Lajme

Serial televiziv gjerman për Ademin që u bë Adam

Me rrënjët e tij shqiptare-kosovare, Ademi ka njohur vetëm pengesa. Por, pasi u vendos në shtëpinë e vëllazërisë duke e bërë emrin "Adam", gjithçka ndryshon

Shpallja që kishte lexuar për një dhomë me çmim çuditërisht të përballueshëm në një apartament të përbashkët nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për Ademin. Ndryshimi i emrit të tij hap derën drejt botës së një vëllazërie dueluese.

Me rrënjët e tij shqiptaro-kosovare, Ademi në jetën e tij në Gjermani ka njohur vetëm pengesa. Por, pasi u vendos në shtëpinë e vëllazërisë duke e gjermanizuar emrin e tij në “Adam”, gjithçka ndryshon, shkruanm zdf.de transmeton albinfo.ch. Ai përjeton solidaritet, mbështetje dhe shoqëri, veçanërisht në miqësinë e tij me Paulin dhe Vincentin.

Që tani e tutje, Ademi gëzon përfitimet e këtij komuniteti me të cilin ndan banesën. Ai madje, si pjesë e “vëllazërisë” provon edhe sportin e skermës me teh të mprehtë. Shpejt promovohet në “Fux” (jep betimin). Por a janë të gjithë këtu me të vërtetë aq të mirë sa duken? Kur Ademi bie në dashuri me studenten Mina, ai e mban sekret anëtarësimin e tij në vëllazërinë e përmendur.

Por çfarë do të ndodhë kur Mina të mësojë për identitetin e tij të dytë? Sa kohë mund ta mbajë Ademi fshehur jetën e tij të dyfishtë?

Mini-seriali “Füxe” (“Brucoshët”) ofron një vështrim në botën e vëllazërive dhe shoqatave studentore, një botë kryesisht e fshehur nga syri i publikut. Këto institucione jo vetëm që sigurojnë pushtet dhe ndikim për elitat, por ofrojnë edhe mundësi për përparim shoqëror, përcjell albinfo.ch. Brenda vetë vëllazërive, fokusi është në ngjitjen në hierarki që nga fillimi. “Füxe”-t e rinj përpiqen të arrijnë majën.

Si pjesë e programit “Das kleine Fernsehspiel” (Shfaqja e Vogël Televizive) të ZDF-së për zhvillimin e talenteve të reja, seriali “Füxe” u prodhua nga aktorë, anëtarë të ekipit, shkrimtarë dhe regjisorë, të gjithë të rinj, premtues.

Në rolet kryesore lujnë: Ademi – Valon Krasniqi; Mina – Roxana Samadi; Paul – Ferdinand Lehmann; Vincent – Vito Sack.