Lajme
SHBA kërcënon me tarifa të reja ndaj partnerëve tregtarë, afati për marrëveshje, 1 gusht
Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po rrit presionin ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara duke paralajmëruar vendosjen e tarifave të reja të larta nëse nuk arrihen marrëveshje deri më 1 gusht 2025, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Në kuadër të politikës së tij për “tarifa reciproke”, Trump ka urdhëruar dërgimin e letrave zyrtare të hënën për dhjetëra vende, përfshirë Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar masa të ashpra ekonomike.
Sipas Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, këto letra do t’i informojnë vendet për mundësinë e rikthimit të tarifave që ishin pezulluar në prill, të cilat variojnë nga 10% deri në 50% për produkte të ndryshme.
“Nëse nuk lëvizni gjërat përpara, më 1 gusht do të ktheheni në nivelin tuaj tarifor të 2 prillit”, tha Bessent në intervistën për emisionin State of the Union të CNN.
Në prill, Presidenti Trump kishte njoftuar një pauzë 90-ditore për t’u dhënë vendeve kohë që të negocionin marrëveshje të reja me SHBA-në. Kjo periudhë përfundon më 9 korrik, ndërsa tarifa të reja do të hyjnë në fuqi nëse nuk arrihen marrëveshje deri më 1 gusht, transmeton albinfo.ch.
Bessent theksoi se nuk bëhet fjalë për një afat të ri, por për një moment vendimtar.
“Po themi se kjo është koha kur po ndodh. Nëse doni t’i përshpejtoni gjërat, bëjeni. Nëse doni të ktheheni në normën e vjetër, kjo është zgjedhja juaj.”
Bashkimi Evropian është ndër partnerët më të ekspozuar ndaj këtyre tarifave të mundshme. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se pa një marrëveshje të re, produktet evropiane nga djathi francez deri te pajisjet gjermane mund të përballen me tarifa deri në 50%.
Negociatorët e BE-së dhe SHBA-së zhvilluan bisedime intensive gjatë fundjavës për të shmangur një përplasje tregtare, por ende nuk është arritur një marrëveshje konkrete. BE ka paralajmëruar gjithashtu masa reciproke nëse SHBA vendos tarifat e reja.
Tregtia mes dy blloqeve ka një peshë të madhe globale. Në vitin 2024, vlera e mallrave dhe shërbimeve të shkëmbyera mes BE-së dhe SHBA-së arriti në 1.7 trilionë euro (2 trilionë dollarë), sipas të dhënave të Eurostat, transmeton albinfo.ch.
Sipas Bessent, administrata Trump ka arritur tashmë marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin dhe është në faza të avancuara me disa vende të tjera.
“Pres të shoh disa njoftime të mëdha gjatë dy ditëve të ardhshme”, deklaroi ai.
Strategjia e Trumpit synon vendosjen e “presionit maksimal” për të siguruar kushte më të favorshme tregtare për SHBA-në, një qasje që ka prodhuar reagime të përziera, nga entuziazmi i disa industrive amerikane deri te shqetësimet për një luftë tregtare të mundshme.
Me 1 gusht që po afrohet, palët kanë pak kohë në dispozicion për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të mbrojtur miliarda dollarë në shkëmbime tregtare, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Kërkohet me peticion heqja e klasit të parë në transportin publik "Mjaft më me sistem dy-nivelësh në transportin publik" – kjo është kërkesa e një lëvizjeje aktiviste... -
Një lehtësim i vogël për nxënësit e shkollave ndërkufitare -
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës -
Treni i ri i natës nga Berna drejt qyteteve evropiane nis më 2026 -
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë











