Muzikë

Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë

Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat

Me rastin e 25-vjetorit të themelimit, Shoqata Kulturore Iliria München organizoi një koncert jubilar, ku kënga dhe vallja tradicionale u shndërruan në një urë mes zemrave dhe brezave, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të gjallë të kulturës dhe identitetit shqiptar në Bavari, transmeton albinfo.ch.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, si dhe të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih.

Mbrëmja u pasurua nga prania e bashkatdhetarëve të shumtë, përfaqësuesve të komunitetit dhe institucioneve. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih u përfaqësua nga Konsulli i Përgjithshëm, z. Afrim Nura, së bashku me konsujt z. Naser Bejtullahu dhe z. Afrim Deliu. Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Nura përgëzoi kryetaren e shoqatës, znj. Laura Lajqi, si dhe të gjithë anëtarët, duke theksuar përkushtimin e tyre të palodhur në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në diasporë.

Me pjesëmarrjen e tij, z. Karl Straub, Komisioner për Integrim i Qeverisë së Bavarisë, i dha koncertit një dimension të veçantë. Në fjalën e rastit, ai vlerësoi punën e shoqatës dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje të aktiviteteve të ardhshme, falë bashkëpunimit të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih.

Koncerti përfundoi në një atmosferë festive dhe bashkuese, ku çdo këngë dhe çdo valle u shndërrua në një përqafim kulturor, duke dëshmuar se trashëgimia jonë kulturore mbetet e gjallë dhe e dashur edhe për brezat e rinj, pavarësisht largësisë nga Kosova.

https://www.facebook.com/share/p/1BaDiyp7oG/?mibextid=wwXIfr