Shqipëria
Shqipëri: Kushtetuesja i jep dritë të gjelbër marrëveshjes me Italinë për emigrantët
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi sot deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancat plenare mbi bazë të dokumenteve, në datat 18 janar, 24 janar dhe 29 janar, kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi: Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””, thuhet në njoftimin e GJK-së.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se lidhur me respektimin e procedurës së negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për Migracionin, në drejtim të organit kushtetues që ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë. Gjykata verifikoi natyrën dhe përmbajtjen e Protokollit për Migracionin, i cili është negociuar dhe nënshkruar si një marrëveshje ndërqeveritare, e ratifikueshme në Kuvend.
Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese, duke mbajtur në konsideratë jurisprudencën e saj, verifikoi nëse Protokolli për Migracionin përbënte marrëveshje ndërkombëtare që lidhej me territorin dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.
Gjykata Kushtetuese e analizoi konceptin “ marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin” në dy aspekte, aspekti fizik dhe aspekti juridiksional i lidhur me sovranitetin.
Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.
Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.
Për sa më lart, në kushtet kur të drejtat dhe liritë themelore të të huajve gëzojnë mbrojtje të dyfishtë juridiksionale dhe Protokolli për Migracionin nuk sjell kufizim të tyre, Gjykata Kushtetuese çmoi të mos e pranojë kërkesën e kërkuesit për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke pasur parasysh që, nga njëra anë, çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin dhe, nga ana tjetër, Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë.
Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, i vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me shumicë votash vendosi deklarimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Gjykata bëri të ditur se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave












