Lajme
Shqipëri: Remitencat e emigrantëve, më të lartat që nga viti 2008
Paratë që emigrantët kanë dërguar në Shqipëri tek të afërmit e tyre në 9 muajt e parë të këtij viti kanë arritur nivelin më të lartë që nga 2008-a, duke reflektuar gjallërim të ciklit të emigracionit gjatë viteve të fundit.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për 9-mujorin arritën në 592 milionë euro, duke u rritur me 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe shumë afër rekordit të 2008-s prej 620 milionë euro, që është dhe viti më i hershëm kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Në tremujorin e tretë, prurjet në shtëpi ishin 216 milionë euro, me një zgjerim prej 8.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është një periudhë kur ka shtim të parave që emigrantët sjellin në vend për shkak të sezonit veror.
Dërgesat e emigrantëve po ndjekin një cikël të ri rritjeje, që i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit të dekadës së fundit. Vitin e kaluar, këto dërgesa arritën vlerën e 761 milionë eurove, niveli më i lartë që prej vitit 2009.
Valët e para të emigracionit masiv shqiptar nisën pas rënies së regjimit komunist dhe numri i madh i shqiptarëve të larguar jashtë vendit u bë burim i rëndësishëm të ardhurash për familjarët e tyre në Shqipëri dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.
Ky cikël duket se arriti pikun në dekadën e parë të mijëvjeçarit të ri, pasi emigrantët e larguar në vitet ’90 ndërtuan një jetë jashtë Shqipërisë dhe i zbehën gradualisht lidhjet me familjet e tyre në Shqipëri. Por, sidomos pas vitit 2013, nisi një cikël i ri emigracioni, që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar, që po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së, sidomos në Gjermani.
Sipas vlerësimeve të Instat, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët pothuajse një milionë janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Europës.
Tendenca për të ikur është përshpejtuar pas ngadalësimit në dy vjet pandemi dhe Mbretëria e Bashkuar po bëhet një destinacion që po tërheq shumë shqiptarë, sidomos të rinj.
Në total, duke përfshirë aplikimet në BE së bashku me të dhënat paraprake për shtatorin dhe aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar, për 6 mujorin, numri i personave që kanë ikur zyrtarisht këtë vit është rreth 15.3 mijë./monitor
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?











