Shqiptarja 17 vjeçare përfundon nën rrotat e trenit

Familjarët e Hasie Islamit akuzojnë ndërmarrjen hekurudhore lokale që nuk ka vënë fare masa sigurie pranë binarëve

Rrotat e trenit i kanë marrë jetën, të premten e javës së kaluar shqiptares 17 vjeçare Hasie Islami nga lokaliteti Brunnen (kantoni Schwyz) derisa ajo po shkonte në takim me të fejuarin.

Tash, më se një javë pas vdekjes së vajzës, familjarët e saj, në pikëllim të thellë, kërkojnë drejtësi. Ata akuzojnë ndërmarrjen hekurudhore lokale që nuk ka vënë fare masa sigurie pranë binarëve. Bëhet fjalë për një mbikalim, te i cili nuk ka fare mburojë që do të siguronte në njëfarë mase kalimtarët që detyrohen të kalojnë mbi binarë.

Ndërkaq, përgjegjësit e hekurudhës thonë se trenat që kalojnë në ata binarë e kanë parasysh specifikën e vendit dhe ngasin me shpejtësi të zvogëluar maksimalisht, ngjashëm me atë të tramvajeve.

Për më tepër, ata thonë se një pjesë të përgjegjësisë e kishte vetë Hasia, tashmë e ndjerë, pasi që ajo kishte në veshë kufjet nga të cilat dëgjonte muzikë. Kjo i ka pamundësuar asaj të dëgjonte sinjalin e trenit, thonë ata, sipas gazetës “Blick” dhe “Südostschweiz”.

Mirëpo për babanë e viktimës, ky arsyetim për mosvënien e mburojave nga ana e hekurudhës, është tepër i ulët. “Si nuk turpërohen të thonë ashtu! Si do të mbrohen, sipas tyre, personat e shurdhër, që nuk i dëgjojnë sinjalet me zë, ose fëmijët e vegjël, që nuk mund të perceptojnë rrezikun?”

Sidoqoftë, thonë në familjen e viktimës, ata do të ngrenë padi. “Nuk bëhet fjalë për kompensim dëmi. Paratë nuk na interesojnë, por duam të dalë e vërteta në shesh”, kanë thënë ata.