CH-Ballkani

Shtohen pritjet në pikat kufitare të Maqedonisë

 

Për shkak të rritjes së qarkullimit të qytetarëve për pushimet vjetore këto ditë ka rritje të kohës së pritjes nëpër hyrjet dhe daljet e kufijve të Maqedonisë.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se këto vonesa po bëhen për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit në kufi dhe mungesës  së dokumenteve të qarkullimit.

“Kjo po ndikon në plotësimin e dokumenteve dhe gjithashtu ngadalëson procedimin e të dhënave dhe vonesat në kufij”, thuhet në njoftimin e Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë.

Ky asociacion porositë qytetarët që të kenë kujdes për rregullat e komunikacionit, të ngadalësojnë shpejtësinë e lëvizjes dhe respektimin e shenjëzimit nëpër rrugë.

”Sugjerojmë që të udhëtoni gjatë orëve të mëngjesit dhe gjatë natës që të anashkalohen vozitjet gjatë ditës kur ka rritje të temperaturave. Bëni pushime gjatë vozitjes dhe konsumoni më shumë ujë dhe pije joalkoolike”, thuhet në njoftimin publik të Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë.