Lajme

Sigurimi i makinave elektrike po bëhet më i shtrenjtë për të rinjtë

Ngarja e një makine elektrike nuk është më automatikisht sinonim i një marrëveshjeje të mirë sigurimi. Humbja e disa zbritjeve ekologjike, shtimi i politikave plotësuese dhe rritja e kostove të riparimit po ndikojnë në çmimet e primeve, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas një analize të faqes comparis.ch, në 70% të rasteve sigurimi i një makine elektrike kushton më pak se ai i një modeli me motor djegieje. Për shoferët me përvojë, kjo shifër shkon deri në 88%.

Megjithatë, të rinjtë shpesh penalizohen: në disa raste, sigurimi i një automjeti elektrik është deri në 951 franga më i shtrenjtë – mbi 30% më shumë.

“Riparimi i makinave elektrike kërkon aftësi të veçanta dhe shpesh përfshin zëvendësimin e baterisë, e cila mund të përfaqësojë një të tretën e çmimit të automjetit. Kjo rrit ndjeshëm primet”, shpjegon Vojislav Mijic nga VZ.

Kriteret kryesore që përcaktojnë koston përfshijnë çmimin e makinës, politikat shtesë për baterinë dhe stacionin e karikimit, si dhe përvojën e shoferit. Për të rinjtë, sipas Mijic, tre faktorë janë vendimtarë: humbja e zbritjeve ekologjike, rreziku më i madh i aksidenteve për shkak të fuqisë së makinave elektrike dhe strategjitë e siguruesve për të balancuar primet në të ardhmen, transmeton albinfo.ch.