Lajme
Sondazh: 60% e shqiptarëve në diasporë s’duan të kthehen në Shqipëri për festa
Pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit nuk do të kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.
Sipas një sondazhi të kryer nga “Monitor” në faqen e internetit dhe në rrjetet sociale, vetëm 40% e votuesve u shprehën se do të kthehen në Shqipëri për festa.
Mes shumicës së votuesve që u shprehën se nuk do të kthehen për festa në Shqipëri, arsyeja kryesore që ata përzgjodhën ishin çmimet e larta. 35% e votuesve në sondazh u shprehën se nuk do të kthehen në Shqipëri për shkak të çmimeve të larta në këtë periudhë.
Inflacioni i lartë në dy vjetët e fundit ka sjellë një goditje të fortë për shumicën e konsumatorëve në botë, duke përfshirë edhe emigrantët. Megjithëse norma e inflacionit gjatë këtij viti ka ardhur në rënie graduale, si në Eurozonë, ashtu edhe në Shqipëri, sërish perceptimi konsumator është se çmimet janë të larta.
Ndërkohë, arsye të tjera më specifike që do të ndikojnë në vendimin e shqiptarëve të diasporës për të mos u kthyer në Shqipëri për festa janë edhe shtrenjtimi i biletave të avionëve dhe zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit me lekun, përcjell albinfo.ch.
13% e votuesve janë shprehur se nuk do të kthehen për shkak të rritjes së çmimit të biletave, ndërsa 12% e tyre janë përgjigjur se arsyeja kryesore është zhvlerësimi i euros në kursin e këmbimit me lekun.
Gjatë sezonit veror dhe atij të festave të fundvitit, kur kërkesa për të udhëtuar është e lartë, çmimet e biletave të avionëve (por edhe të trageteve) shënojnë rritje të ndjeshme. Pamundësia për të udhëtuar me çmime të arsyeshme është një faktor që një pjesë e mirë e njerëzve të zgjedhin periudha të tjera të vitit për udhëtimet që mund të spostohen në kohë.
Ndërkohë, rënia e ndjeshme e kursit të këmbimit euro-lek këtë vit e rritur akoma më shumë koston e kthimit në Shqipëri për emigrantët. Veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2023, euro ka pësuar një rënie drastike, që në momente të veçanta ka prekur nivelet e 13%-14% me bazë vjetore. Kjo bën që shpenzimet konsumatore në lekë për subjektet me të ardhura në euro të jenë më të larta për efekt të kursit të këmbimit. Nëse shtojmë edhe efektin paralel të rritjes së çmimeve, zhvlerësimi i euros perceptohet si një faktor me ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen e emigrantëve për të pushuar në Shqipëri.
Kryesisht për arsyet e mësipërme, rreth 60% e votuesve në sondazh janë shprehur se nuk do të kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.
Dërgesat e emigrantëve ngelen një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga puna arritën në 677 milionë euro, në rritje me 14.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Moskthimi i një pjesë të madhe të tyre për sezonin e festave natyrshëm do të ketë një lloj ndikimi edhe në flukset valutore hyrëse dhe në shpenzimet konsumatore për ekonominë shqiptare në këtë periudhë të vitit.
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 Rregullat e reja mbi reklamimin e duhanit për të mbrojtur fëmijët, të miratuara nga parlamenti zviceran... -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim?












