Kosova

Sot 27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s, lufta dhe liria e Kosovës

Më 24 mars 1999 nisën sulmet ajrore ndaj caqeve serbe, duke ndalur spastrimin etnik dhe hapur rrugën për kthimin e refugjatëve

Sot shënohet 27-vjetori i fillimit të ndërhyrjes së NATO në Kosovë, një moment historik që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve dhe i dha fund dhunës sistematike ndaj popullsisë civile, përcjell albinfo.ch.

Më 24 mars 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë, me qëllim ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kjo ndërhyrje u konsiderua vendimtare, pasi mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të mbi 800 mijë refugjatëve dhe personave të zhvendosur, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Pas përfundimit të luftës, më 12 qershor 1999, filloi vendosja e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, të njohura si KFOR, me rreth 50 mijë ushtarë nga 36 vende të botës, shumica prej tyre nga vendet anëtare të aleancës.

Sot, 27 vjet më pas, KFOR vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë me një numër më të reduktuar trupash, duke ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në vend.

Ndërkohë, NATO ka evoluar në përballje me sfida të reja globale, që përfshijnë kërcënimet kibernetike, krizat shëndetësore dhe zhvillimet gjeopolitike si lufta në Ukrainë.

Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve në arenën ndërkombëtare, ndërhyrja në Kosovë mbetet një nga veprimet më të rëndësishme dhe më të justifikuara në historinë moderne, duke u konsideruar si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e popullsisë civile dhe rikthimin e paqes./Albinfo.ch