Lajme
“Stone Castle”: Tradita e cilësia në verën kosovare
Shumë prej verërave e rakive të kësaj ndërmarrje kosovare eksportohen edhe në Zvicër, Gjermani, Turqi apo së fundi edhe në Nigeri
Kosova nuk është vetëm vendi ku dikujt mund t’i kujtohen fytyrat e vuajtura, apo ashtu si përshkruhet së fundi, oaza e krimit e korrupsionit.
Edhe në këtë shtet të ri, ka jetë dhe prodhime të mira të cilat në fakt janë të kërkuara edhe në tregun ndërkombëtar.
Sa herë që përmendet Rahoveci, për ata që dinë vetëm pak mbi Kosovën, mendja u shkon menjëherë te rrushi. E ku ka rrush, ka edhe verë e raki.
Madje Kosova ka bodrumin e dytë për nga madhësia të verës në Evropë, pas një të ngjashëm që është në Maqedoni.
Sigurisht, ky bodrum ndodhet në Rahovec, e cila ka rezerva të mira ta verës ku më e vjetra llogaritet të jetë e vitit 1993.
E kujtdo që i ka shkuar në mendje të blejë një shishe verë në Kosove, e ta pijë me miq në Gjermani, Zvicër apo Suedi, nuk ka nevojë ta ngarkojë vetën.
“Stone Castle” është kompania e njohur për prodhimin e verës dhe rakisë së llojeve të ndryshme, jo vetëm për tregun vendor, por edhe atë rajonal e ndërkombëtar.
“Kapaciteti i bodrumit tonë është 55 milionë litra”, thotë Habib Spahiu për Albinfo.ch, agjent tregtar në “Stone Castle”.
Sipas tij, prodhimet e verës dhe rakisë së kësaj kompanie janë rreth 15 milionë litra në vit.
“Rrushin e marrim vetëm në Rahovec, i cili njihet për kualitetin e tij të mirë”, thekson Spahiu.
E kur vjen puna të llojet e verës dhe rakisë që “Stone Castle” prodhon, ato janë nga më të ndryshmet dhe të formateve të ndryshme, mjaft të përdorshme për familje e restorante.
Vera që prodhon “Stone Castle” është e llojeve Kabernet, Merlot, Shardone, Pinotnoar, Vranac, Rizlingrajn, Roze, Semion e shumë të tjera, që në përgjithësi janë rreth 23 të tilla.
Por prapa nuk mbetet as rakia, e cila është mjaft e njohur në rajonin e Ballkanit e ku secili shtet pretendon se është prodhim i veti.
Konjaku i ruajtur në fuçi prej druri, është njëra prej pijeve me të cilat “Stone Castle” krenohet më shumë, e cila eksporton edhe në Kroaci, Slloveni, Zvicër, Gjermani e madje edhe në Turqi.
“Tash kemi filluar të eksportojmë edhe në Nigeri”, thotë Habib Spahiu, agjent tregtar në këtë kompani të njohur kosovare.
I pyetur se cilat lloje të verërave kërkohen më shumë në tregun zviceran dhe gjerman, Spahiu shpjegon se janë Kaberneti, Shardone, Merlot dhe Vranac.
“Po, në Gjermani e Zvicër, verat tona mund të gjenden gati në secilin dyqan të madh, mjafton vetëm pak të kërkohen”, thotë Spahiu për Albinfo.Ch.
Duke krahasuar cilësinë me çmimin, ai është i bindur se secili mund ta ketë ndonjë shishe verë në shtëpinë e tij dhe të qerasë miqtë, pasi nuk duhen shumë para për të blerë një të tillë.
Në Kosovë, një shishe verë, më e shtrenjta, sigurisht jo ato të vjetra disa vjeçare, “Stone Castle” e shet për 3 euro e 30 cent, ndërkohë që në Gjermani e Zvicër mund të blihet më së shumti me 5 euro.
“Nuk ia vlen që për dy euro të dërgohet shishja nëpër çanta nga Kosova në Zvicër”, thotë si me humor Habib Spahiu.
“Stone Castle” është një prej kompanive më të njohura në Kosovë e cila ka traditë të madhe në prodhimin e verës dhe rakisë, pronar i së cilës është Rrustem Gecaj me vendbanim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo kompani është vazhdimësi e verarisë së dikurshme të njohur me emrin “Rahoveci”.
Fakte
Sipas burimeve arkeologjike, banorët e Luginës së Rahovecit kanë kultivuar rrushin dhe kanë prodhuar verë që nga koha Ilire. Vreshtat e këtij rajoni konsiderohen si ndër më të vjetrat në territorin e Ish Jugosllavisë.
Në vitin 1946, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, është formuar Kooperativa vreshtare “1 maji” dhe është ndërtuar bodrumi i verës me kapacitet prej 230 vagonësh. Në vitin 1956, ajo u shndërrua në Kooperativë Bujqësore të quajtur “Podrimja” e cila në vitin 1960 iu bashkua “Progres Exportit” të Prizrenit.
Më 1976 u formua Organizata Punuese Bujqësore Industriale “Rahoveci” e cila në vitin 1990 ndryshon emërtimin duke u quajtur në NBI” Rahoveci”. Me aplikimin e masave të dhunshme nga Serbia, ajo në vitin 1992 iu bashkua PKB-së në Beograd.
Me 1999 ndërmarrja rifilloi punën kurse me 1 gusht 2006 u privatizua nga Rrusetm Gecaj e Hajdar Bajraktari.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres Koha e Krishtlindjeve sjell fluks të lartë udhëtarësh në aeroportet zvicerane. Aeroporti i Cyrihut pritet të... -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë












