Lajme
Studentët kërkojnë rrënimin e Kishës ortodokse nga kampusi universitar
Një grup studentësh dhe profesorësh të mbështetur edhe nga partia më e madhe e opozitës, Vetëvendosje po kërkojnë rrënimin e kishës ortodokse nga kampusi universitar. Kryeministri Mustafa dhe presidenti Thaçi janë kundër rrënimit
Një objekt i destinuar për kishë ndërtuar në vitet ’90-a nga regjimi i dhunshëm i Millosheviqit, ka trazuar skenën politike kosovare. Derisa një grup studentësh dhe profesorësh të mbështetur edhe nga partia më e madhe e opozitës, Vetëvendosje po kërkojnë rrënimin e saj, kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi janë kundër rrënimit.
Edhe sot, para këtij objekti, një grup i studentëve i Universitetit të Prishtinës, kanë protestuar, duke kërkuar heqjen e objektit të Kishës Ortodokse Serbe nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, ose në të kundërtën këtij objekti t’i ndërrohet destinomi.
Përmes një aksioni simbolik, të leximit të librave, që thonë se e konsiderojnë si “armën e tyre më të fortë”, studentët kanë kërkuar kthimin e pronës, që sipas tyre, i takon Universitetit dhe studentëve.
“Ky aksion tenton ta përçojë mesazhin që kjo tokë është e studentëve, kjo hapësirë i përket studentëve, dhe do të shfrytëzohet nga studentët për nevojat e tyre, e assesi të bëhet funksionalizimi I një objekti i cili tenton të bëhet si Kishë Ortodokse Serbe, me ç’rast cenohet edhe sekularizmi I Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Gramos Cërnaveri, një nga studentët protestues.
President i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi protestën e studentëve, të ditës së shtunë të papranueshme, dhe kërkoi zgjidhjen e çështjes përmes “rrugëve ligjore dhe jo me veprime të njëanshme që nxisin urrejtje e dhunë”.
“Çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që vazhdojmë t’i kultivojmë dhe me të cilët mburremi të gjithë”, tha presidentit Thaçi.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Bekim Lumi, pjesëmarrës në protestën e studentëve, thekson se kjo hapësirë I përket Universitetit të Prishtinës dhe nuk duhet të shfrytëzohet si diçka tjetër.
“Pretendimi ynë I vetëm është se kjo hapësirë u përket studentëve, i përket mësimdhënies dhe se nuk ka vend për politizim dhe fe, ka nevojë vetëm për mësim dhe hapësirë për studentët e këtij Universiteti”, tha Lumi.
Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka thënë se objekti i cili është ndërtuar brenda kampusit universitar është pa leje dhe si i tillë po trajtohet nga udhëheqja e Komunës së Prishtinës.
“Pra, ai duhet të trajtohet në formën se si është, pra një objekt pa leje, për më tepër është simbol i gjenocidit të Millosheviqit, i cili e zgjon traumën kolektive të shqiptarëve sa herë e shohin atë. Aktualisht Komuna e Prishtinës e trajton ashtu edhe si e ka statusin objekt i ndërtuar ilegalisht”, ka thënë Dërguti, e cila ka kërkuar që të kihet kujdes me termet e përdorur, pasi që ky objekt nuk është kishë.
“Së pari duhet të jemi të kujdesshëm me terminologjinë që përdorim, sepse ai objekt aty është një objekt pa leje ndërtimi dhe assesi nuk mund të quhet kishë. Sepse ekziston një procedurë e caktuar kur edhe mund të quhet kishë, që është një procedurë e kanunizimit”, është shprehur ajo.
Sipas “Vetëvendosjes”, gjenerali famëkeq Zhelko Razhnatoviq – Arkan, për të cilin është raportuar se është akoma gjallë, ka financuar dhe përuruar Kishën Ortodokse të ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës gjatë viteve ‘90.
E-Diaspora
-
Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës Me 9641 vota, Shasime Osmani e lindur në Kërçovë është shqiptarja e vetme që ka siguruar... -
Cyrih: U prezantua projekti “The Guestkeepers” për turizmin kulturor në Kosovë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër zgjedh kryetarin e ri dhe mbyll me sukses simpoziumin shkencor -
Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës -
SHKA “Ilirët” nga Lozana, sot me program artistik në Monthey
Jeta në Zvicër
-
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Liqenit të Gjenevës (CIPEL) ka paraqitur një vlerësim të përzier për... -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran -
Pse 250 milionerë shpërngulen në Zvicër çdo muaj










