Portrete të firmave

“Swissfinance” – shërbime 360 shkallë për klientët

Intervistë me Lulzim Qusajn lidhur me rrugëtimin e tij prej këshilltar financiar të zakonshëm, deri te posti i drejtorit në firmën me renome "Swissfinance"

Fillon të merret me financa dhe kontabilitet që në moshën 20-vjeçare, kur punonte për një firmë ndërkombëtare në Ouchy të Lozanës. Pastaj brenda një periudhe të shkurtër arrin të themelojë një zyrë të veçantë, ku krijon një ekip prej 20 vetave dhe arrin nivelin e drejtorit rajonal. Në moshën 25-vjeçare ai tashmë merr rrugën e themelimit të firmës së tij private Swissfinance, të cilën tashmë 5 vjet e udhëheq suksesshëm në Nyon.

Albinfo: Kur fillon angazhimi juaj më serioz profesional në fushën e financave dhe kontabilitetit?

Lulzim Q: Në moshën 20-vjeçare, me sugjerim të një shokut tim, drejtohem te një firmë ndërkombëtare me seli në Ouchy, e cila kishte nevojë për shërbime kontabiliteti. Ishte kjo një firmë ku pos nivelit akademik, ishin të rëndësishëm rezultatet profesionale në shitje. Pas 8 muajve punë për atë firmë, ata më propozojnë të themeloj një zyrë për ta në Gjenevë. Themelimi i zyrës nënkuptonte një ekip prej 20 vetave dhe gjatë asaj periudhe, për ta ilustruar ngritjen time profesionale, do të kisha thënë që përbrenda 2 viteve arrita postin e barabartë të një drejtori regjional. Në moshën 24 vjeçare vazhdova studimet në nivelin federal dhe kuptova se ka ardhur momenti për të themeluar firmën time. Të gjitha gjërat që mund ti bëjë një punëtor i thjeshtë në këtë drejtim, i kisha bërë, dhe tashti ishte momenti të hapja firmën time. Atë, fillimisht e regjistrova si firmë individuale, që pas 6 muajve, falë suksesit të punës, ta shndërroja në firmë aksionare (AG?). Edhe pse kisha eksperiencë pune në Gjenevë dhe Lozanë, themelimin e firmës vendosa ta bëja në zonën e Nyonit, ku jam rritur dhe ku gëzoj reputacion të mirë”.

Albinfo: Firma juaj “Swissfinance” është tashmë e themeluar dhe mirë e etabluar. A mund të na thoni pak më tepër për shërbimet që i ofroni?

Lulzim Q: “Swissfinance” është paraparë t’u ofrojë shërbime “360 shkallë” klientëve të vet. Kjo nënkupton aspektin e sigurimeve, fushë kjo në të cilën ne bashkëpunojmë me 52 kompani  të ndryshme të sigurimeve. Këtu do të shtoja që Swissfinance është e përfshirë në regjistrin publik te Autoritetit Mbikëqyrës të Tregut Financiar Zviceran (FINMA), që nënkupton se vet firma dhe të punësuarit duhet të plotësojnë një numër të madh të parakushteve. Me fjalë më ilustruese, firma jonë është e kualifikuar të bëjë sigurime, duke filluar prej atyre më të thjeshtave si për një mace ose qen, e deri te sigurimet e firmave që bëjnë qarkullim vjetor disa milionësh.

Shërbimi i dytë, të cilin ne e ofrojmë, përqendrohet në ndërmjetësimin mes bankave dhe klientëve tanë për punën e hipotekave. Në këtë drejtim kemi eksperiencë shumë të mirë në profilizimin e kërkesave të klientëve tanë dhe në arritjen e një norme sa më të ulët të interesit në favor të klientit. Bashkëpunimi me një numër të madh të bankave, gjithsesi që na mundëson arritjen e negocimit të normës sa më të ulët të interesit. Segmenti i tretë, ku ne si firmë shtrijmë veprimtarinë tonë, është në fushën e patundshmërive. Kemi bashkëpunim të theksuar në nivelin rajonal dhe falë rrjetit të firmave me të cilat bashkëpunojmë, mundemi tu ofrojmë klientëve tanë patundshmëri të cilat janë për shitje ose për blerje. Këtu ne bashkojmë edhe shërbimet tona që i kemi me sigurimet dhe me bankat si dhe ofrojmë edhe ndihmë juridike. Shërbimi i katërt me rend të cilin ne e ofrojmë ka të bëjë me administratën legale, si për individë, ashtu edhe për firma, sidomos ne sferën e administrimit të tatimeve. Ndërkaq, shërbimi i pestë në paletën tonë ka të bëjë me procedurat e themelimit dhe regjistrimit të firmave, qofshin ato firma aksionare ose me përgjegjësi të kufizuar. Sa për ilustrim, në procedurën e regjistrimit të firmave me përgjegjësi të kufizuar, falë bashkëpunimit me notarë edhe jashtë rajonit ku veprojmë, ne jemi në gjendje të ofrojmë çmime shumë më të volitshme. Më konkretisht, nëse themelimi i një firme me përgjegjësi të kufizuar kushton diku rreth 3.000-3.500 franga, ne këtë shërbim mundemi ta bëjmë për 999 franga. Pasi jemi në një periudhë kur themelohen numër relativisht i madh firmash, ky departament është mjaft i angazhuar. Si rezultat i regjistrimit të firmave, këtu gjejnë shprehje edhe shërbimet tona tjera që ndërlidhen me këtë aspekt, sikur që janë, për shembull, sigurimet bazë.

Në gjithë këtë paletë të shërbimeve që Swissfinance u ofron klientëve të vet, kemi një premtim që asnjëherë të mos jemi më të shtrenjtë se tregu. Edhe pse në fillim të punës tonë si firmë kemi pasur vërejte se jemi shtrirë me shumë shërbime, mund të them se përbrenda 5 vjetëve shërbimet tona kanë prekur më tepër se 6.000 klientë.

Foto: Rromir Imami

Albinfo: Cilat janë aspektet më të forta të firmës suaj?

Lulzim Q: Negociata e kontratave të sigurimeve, mund të them lirisht. Këshilla të cilën ua jap klientëve potencialë është të provojnë vetëm një herë shërbimet tona. Kur më vonë shohin se mbrapa këtyre shërbimeve të sigurimeve qëndron edhe një sektor administrativ që është në përkrahje të mirëmbajtjes së kontratave, klientët binden edhe më tepër. Mirëpo, e gjitha nuk përfundon vetëm me kaq. Këtu kisha dashur të përmend edhe një pikë të veçantë të cilën mund ta përshkruaj si pasion të firmës tonë, e ajo është të jemi pranë klientit në rast se ndodhë diçka. Të themi se ndodh ndonjë aksident komunikacioni, këshilltari i cili është përgjegjës për atë klient i merr përsipër të gjitha procedurat e nevojshme.

Albinfo: Cila është metodologjia me të cilën u qaseni klientëve ?

Lulzim Q: Metodologjia, ose praktika më e shpeshtë me të cilën ne u qasemi klientëve tanë për të ofruar shërbimet 360 shkallë është duke mbushur fillimisht një pyetësor, ose si e quajmë ne, broshurën e analizës. Këtu i marrim të gjitha informatat që na nevojiten për të ofruar shërbimet 360 shkallë dhe shohim nëse ka aspekte të cilat mund të shtohen ose përmirësohen. Pas kësaj, i kemi negociuesit tanë, të cilët për një javë të tërë bëjnë hulumtim dhe negociata për të gjetur ofertat më të mira. Në takimin e dytë, këto oferta i paraqiten klientit tonë dhe i jepet mundësia që të gjitha aspektet administrative ti marrim ne përsipër, pa pasur ai nevojë të merret me këtë. Kjo po ashtu, në gjuhën frënge, njihet si metodologjia e “3-E”: Ecouter (të dëgjosh), Etudier (të studiosh) dhe Evoluer (të vlerësosh).

Albinfo.ch: Kush janë klientët e juaj në përgjithësi? A ka në mesin e tyre edhe klientë shqiptarë?

Lulzim Q: Ndarjen, në vija të gjera, mund ta bëj në këtë mënyrë: 50 % te klientëve janë klientë të regjionit, me origjinë zvicerane, rreth 20 % janë klientë anglisht folës dhe 30% janë klientë me origjinë shqiptare. Klientët me origjinë shqiptare, në anën tjetër, mund ti vendosja në tre grupe të ndryshme. Në grupin e parë janë klientët shqiptarë privatë, të cilët kanë nevojë kryesisht për shërbime dhe këshillime financiare për çështje private dhe të tatimeve. Në grupin e dytë bëjnë pjesë klientët shqiptarë të cilët kanë firmat e tyre dhe merren me ndërtimtari. Këtyre ne u ofrojmë ndihmë në drejtim të përzgjedhjes së kompanive të sigurimeve, bankave si dhe deklarimit të tatimeve, kontabilitetin si dhe administratës. Ndërsa në grupin e tretë bëjnë pjesë klientët me origjinë shqiptare të cilët blejnë patundshmëri dhe kërkojnë prej nesh shërbime për t’ju gjetur një kredit të përshtatur për nevojat e tyre. Në këtë drejtim ndihmon shumë edhe njohja që ne kemi për kontekstin kulturor të shqiptarëve, shpesh i panjohur për bankat e vendit.

Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Çfarë këshillash financiare do t`u jepnit lexuesve të albinfo.ch?

Lulzim Q: Kursimi i parave bëhet në fillim të muajit. Kjo do të ishte ndoshta këshilla ime kryesore, qe ata të mos hezitojnë të hapin një llogari bankare ku do të kishin ndarë një shumë të hollash si kursim. Jemi në një vend ku bëhen shumë pagesa dhe nëse pritet deri në fund të muajit, atëherë nuk mbetet asgjë. E kundërta e kësaj qasje është kredia private. Nëse kemi gatishmëri për të paguar kredi çdo muaj, atëherë e kemi edhe mundësinë për të kursyer po aq të holla në muaj.
Këshilla tjetër që mund të jepja ka të bëjë me sigurimin e makinave, të cilat personat me shtetësi nga Ballkani, e sidomos nga Kosova, i paguajnë shumëfish më shtrenjtë. Ata do t`i kisha këshilluar të kalojnë më ndonjë firmë sikur që është Swissfinance, e cila bashkëpunon me shumë kompani tjera të sigurimeve me qëllim që t`i fusin ato në garë për t`i ulur çmimet sa më poshtë dhe për të arritur deri te një shumë e volitshme.

Këshilla e tretë do të ishte që secili person të kursejë duke investuar në shtyllën e tretë. Pos benificioneve financiare, 20 deri 30 % të hollave të investuara në këtë shtyllë, mund të hiqen prej tatimeve. Për personat që kanë migruar në Zvicër, për të plotësuar kushtet e shtyllës së parë dhe të dytë nevojitet të kenë punuar prej moshës 20-vjeçare pa ndërprerje të gjatë. Prandaj për këta persona është më se i preferuar investimi në shtyllën e tretë.