Tahiri: Njohja e Kosovës, kusht për integrimin e Serbisë në BE

Tahiri:Për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia e ka kusht ta njohë pavarësinë e Kosovës

“Me dialogun Kosovë-Serbi  synohet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe, po ashtu, dialogu kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, në forumin për dialog, “Mbi Dialogun”, organizuar nga “Projekti për Marrëdhënie Etnike”, ku pjesëmarrës ishin shqiptarë dhe serbë nga Kosova. “Ky normalizim i plot arrihet pas njohjes reciproke të dy shteteve”, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri, duke thënë më tutje se, si efekt tjetër i rëndësishëm është edhe rëndësia e qasjeve evropiane në dialog. Ajo theksoi se ka përparime substanciale që nga fillimi i këtij dialogu ku përmendi fushën e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe çështjet e telekomunikacionit. Tahri bëri të qartë se vijat e kuqe për të cilat nuk do të bisedohet janë statusi i Kosovës, integritetit territorial i Kosovës. Sipas saj bashkëpunimi evropian është shumë i rëndësishëm dhe se për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia e ka kusht ta njohë pavarësinë e Kosovës.  Fryma bashkëpunuese dhe në fqinjësi të mirë përshpejton integrimet euroatlantike, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri.