Tematike

Takim i dhimbshëm

Diplomatët kosovarë ngushëlluan kolegët e Daniela H, që u vra të hënën nga një qytetar i Kosovës

Zëvendëskonsulli i Konsullatës së Kosovës në Zürich, Sali Sefa nuk e kishte aq lehtë të gjente fjalë për të ngushëlluar koleget e Daniela H., shefe e zyrës së Mirëqenies Sociale në Pfäffikon, e cila ishte qëlluar për vdekje në fillim të javës nga një qytetar kosovar, i cili pak më herët kishte vrarë edhe gruan e tij..

Punëtorët e Zyrës së Mirëqenies Sociale të kësaj komune ishin pllakosur nga pikëllimi.

Ata thanë se po kalojnë ditë vështira dhe se janë të kapluar nga frikësimi me vrasjen tragjike të koleges së tyre, të hënën para zyrave ku kishte punuar.

Një fotografi e të ndjerës dhe një qiri i ndezur qëndronte në hyrje të zyrave ku kishte punuar për shume vite Daniela H.

Fjalimi i diplomatit kosovar ka bërë që të shpërthejnë lotët në mesin e punëtorëve social.

Delegacioni i konsullatës ka vënë fillimisht lule në vendin ku kishte ndodhur ngjarja tragjike e të hënës.

Më pas ata janë pritur nga zyrtarët komunal të Pfäffikonit, të cilët e kanë mirëpritur këtë vizitë ngushëllimi të diplomatëve kosovarë..

Zëvendëskonsulli,Sali Sefa tha se me pikëllim të madh kanë pranuar lajmin për vdekjen tragjike të punonjës sociale.

“Kjo ngjarje na ka shokuar të gjithëve, atëherë më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e madhe që i është shkaktuar familjes po edhe juve si kolegë”, i ka thënë zëvendëskonsulli Sefa zyrtarëve komunalë në Pfäaffikon.

Por rasti i Pfäffikonit nuk duhet të ndikoj në zbehjen e marrëdhëniet të mira që kanë ndërtuar me vite Kosova dhe Zvicra..

” Ne nuk i harrojmë ato që i ka bërë Zvicra për Kosovën, prandaj një rast i tillë duhet të trajtohet si i izoluar, dhe ka mundur të ndodh gjithkund”, ka thënë Sefa.

Edhe Hanspeter Thoma, zyrtar komunal në Pfäffikon ka thënë se ishte një rast i rëndë që ka prekur të gjithë. Ai tha se ndjehet mire kur vijnë edhe qytetarë të huaj të ndajnë dhimbjen me ta..

Më pas, zëvëndëskonsulli kosovar, Sali Sefa ka nënshkruar në librin e zisë duke i shprehur ngushëllime në emër të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, familjes së të ndjerës dhe kolegëve të saj.

Shani S. me prejardhje nga Kosova ka vrarë të hënën gruan, Sadete B.-S. dhe shefen e Zyrës Sociale , Daniela H. Ai ka deklaruar se gruan e vrau se deshi divorc, kurse zviceranen, sepse nuk ia rriti ndihmën sociale.