Kosova
Tarifat e Trumpit përplasin Presidencën e Qeverinë e Kosovës
Presidentja Osmani i kërkon Qeverisë ta pezullojë tarifën për importet nga SHBA-ja
Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pak orë pasi Osmani bëri publike kërkesën e saj, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u mor me qasjen e dërgimit të kërkesës nga presidentja. Ai ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.
E Murati ka thënë se shteti serioz këto çështje i trajton larg mediave “dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”. “Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar tutje ai.
Menjëherë i është kundërpërgjigjur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Teksa ka thënë se Murati është personi i fundit në Kosovë që mund të flasë për seriozitet, Kupina e ka quajtur të turpshëm, skandaloz e mungesë respekti bazik institucional reagimin e Muratit.
“Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet. Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00. Një njeri që ende nuk e kupton që, sipas Kushtetutës dhe Komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës. Që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial. Një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit, bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror, e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional. E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional, e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti, e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës, është deklarata e tij e sotme. Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor dhe leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai, po ashtu në Facebook.
Më herët gjatë ditës, Osmani njoftoi se ka kërkuar nga Qeveria t’i pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja. Ajo u shpreh se kjo është me qëllimin që të dërgohet mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).
Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Edhe vendet e tjera të rajonit figurojnë me këtë përqindje tarifash: Shqipëria 10%, Mali i Zi 10%, Serbia 37%, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja e Hercegovina 35%.
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres Koha e Krishtlindjeve sjell fluks të lartë udhëtarësh në aeroportet zvicerane. Aeroporti i Cyrihut pritet të... -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë










