Ukraina
Të paktën 12 të vrarë nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë
Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet me dronë dhe raketa që Rusia kreu gjatë natës nëpër zona të ndryshme të Ukrainës, njoftojnë zyrtarët rajonalë dhe shërbimet e emergjencës ukrainase, shkruan BBC, transmeton albinfo.ch.
Tre fëmijë u vranë në Zhytomyr, në perëndim të Kievit, ndërsa një burrë rreth të 70-ave humbi jetën në qytetin jugor të Mykolaivit, sipas shërbimit shtetëror të emergjencave (DSNS).
Këto sulme vijnë vetëm një ditë pas një nga sulmet më të rënda në kryeqytetin ukrainas Kiev, që ka shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima. Gjatë natës së së shtunës, në të gjithë Ukrainën u regjistruan sulme në 22 rajone, me rrëzimin e 45 raketave lundrimi dhe neutralizimin e 266 mjeteve ajrore pa pilot nga forcat ajrore ukrainase.
Në rajonin Khmelnytskyi, katër persona humbën jetën dhe pesë u plagosën, ndërsa gjashtë shtëpi private u shkatërruan dhe 20 të tjera u dëmtuan, tha kreu rajonal Serhiy Tyurin.
Në Kiev, ku autoritetet raportuan 11 të plagosur, pati dëme në ndërtesa banimi dhe zjarre të shumta, duke përfshirë edhe një konvikt. Qindra njerëz u strehuan në stacionet nëntokësore të metrosë ndërsa qyteti po përgatitej të festonte Ditën e Kievit, transmeton albinfo.ch.
Në Zhytomyr, tre fëmijë të moshave 8, 12 dhe 17 vjeç u vranë, ndërsa 10 persona të tjerë u plagosën. Në Mykolaiv, trupi i një burri të moshuar u nxor nga rrënojat e një ndërtese të goditur nga një dron, dhe pesë të tjerë u plagosën. Në Kharkiv u raportuan tre të plagosur.
Në anën tjetër, në Rusi, ministria e mbrojtjes njoftoi se njësitë e mbrojtjes ajrore shkatërruan 95 dronë ukrainas, përfshirë 12 që po synonin Moskën. Në rajonin Tula, mbeturinat e një droni shkaktuan dëme në dritaret e një ndërtese, por nuk pati të lënduar.
Sulmet vijnë ndërkohë që Rusia dhe Ukraina vazhdojnë shkëmbimet e të burgosurve, duke dorëzuar secila nga 390 ushtarë dhe civilë në shkëmbimin më të madh që prej fillimit të pushtimit rus në shkurt 2022. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi kthimin në shtëpi të 307 të burgosurve të tjerë, ndërsa palët kanë rënë dakord për shkëmbimin e gjithsej 1.000 të burgosurve secila.
Megjithë përpjekjet diplomatike, Rusia nuk ka pranuar thirrjet për armëpushim 30-ditor, edhe pse ka shprehur gatishmëri për të hartuar një “memorandum” për paqe në të ardhmen. Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një telefonatë dyorëshe me Vladimir Putin, ku u diskutua mundësia e një armëpushimi dhe përfundimit të luftës, por pa ndonjë marrëveshje konkrete, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar












