“Terre des hommes”, shpresë për fëmijët kosovarë

Një vajzë e mitur është keqtrajtuar seksualisht. Nga turpi ajo ikën nga shtëpia, e shkon të jetojë me një shoqe, fillon të mos shkojë në shkollë dhe të mos takohet me familjen.

Mësuesi i saj e referon atë në Task Forcën të krijuar nga fondacioni zviceran Terre des hommes, i cili punon në fushën e mbojtjes së fëmijëve.

Task Forca, e përbërë nga zyrtarë të qendrës për punë sociale të komunës, zyrtarë të shëndetësisë, zyrtarë të shkollave, zyrtarë policorë, OJQ si dhe institucione të tjera, ka ndërmarrë masat e duhura, duke e paraqitur rastin në polici dhe duke i ofruar ndihmë viktimës.

Tash ajo është kthyer e jeton me familjen e vet, shkon në shkollë dhe është mbështetur me trajnime të mësimit të gjuhës angleze, duke ikur kështu nga rreziku i një jete me më shumë vuajtje dhe depresion. Kjo është historia e vërtetë e një një vajze nga Mitrovica, e treguar në mënyrë të thjeshtë.

Është ky një nga rastet e ndihmës së dhënë nga Task Forcat e krijuara nga fondacioni zviceran Terre des hommes, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve dhe abuzimeve që bëhen ndaj tyre në Kosovë.

Rasti i lartpërmendur, që ka ndodhur në Mitrovicë nuk është i vetmi, fëmijët në Kosovë ballafaqohen me abuzime, qofshin ato shfrytëzimi për lypje të detyruar, puna e rëndë, abuzimi seksual, dhuna apo edhe ata që janë në konflikt me ligjin dhe nuk shohin rrugë tjetër.

Terre des hommes e financuar nga SDC (Agjencia Zvicerane për Zhvillim), UNICEF dhe GIZ, me një projekt të sajin është duke përkrahur institucionet e Kosovës që të forcojnë kapacitetet e tyre dhe të kenë mundësi që të ndihmojnë fëmijët, të cilët kanë nevojë për mbrojtje.

Në veçanti, në rrezik janë fëmijët të cilët detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Në më të shumtën ata “vijnë nga familje të cilat jetojnë në vështirësi shumë të mëdha ekonomike e sociale, ku pjesa më e madhe e prindërve janë të papunë dhe jetojnë në një varfëri të skajshme; familje me një prind. Për më tepër familja nuk mund të jetojë pa të ardhurat financiare të gjeneruara nga fëmiu” thotë Sabine Piccard, menaxhere e projektit në delegacionin e fondacionit Terre des hommes në Kosovë.

Sabine Piccard, “Terre des hommes” në Kosovë

Një pjesë e mirë e këtyre fëmijëve vijnë nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptas, por nuk mungojnë edhe fëmijë të shfrytëzuar për lypësi të detyruar, që vijnë nga Shqipëria, si dhe fëmijë të tjerë të Kosovës.

Për fat të keq, këto situata nuk janë të ralla në Kosovë, ku papunësia ka prekur rreth 45 për qind të popullsisë. Fenomeni i lypësisë në rrugë është një pasojë dramatike e varfërisë në Kosovë si dhe mungesës së ofrimit të shërbimeve përkatëse nga institucionet e Kosovës”, shton ajo.

Në këtë situatë ekonomike, institucionet shtetërore janë të kufizuara në kapacitete materiale dhe të ekspertizës, duke pasur vështirësi që të arrijnë deri te rastet sociale në tërë Kosovën, si shembull thotë Piccard “qendra për punë sociale ka vetëm një veturë dhe kështu është vështirë që të arrihet të vizitohen të gjitha rastet”.

Tutje shpjegon ajo “përgjegjësitë dhe kompetencat në mes të institucioneve nuk janë të qarta; punëtorët socialë kanë një përkrahje të limituar nga Komunat prej të cilave varen. Problemet nuk ndalen këtu pasi stafi i qendrave për punë sociale nuk është i trajnuar specifikisht për të punuar me fëmijë, për të cilët duhet pasur kujdes të veçantë. Po kështu legjislacioni aktual për mbrojtjen e fëmijëve mbetet i fragmentarizuar në mjaft ligje dhe mungon një kuadër ligjor i veçantë për mbrotjen e fëmijëve. Ne jemi duke avokuar që secila komunë të ketë një person që të punojë vetëm me çështjet e fëmijëve, si dhe në rishikimin dhe hartimin e një kuadri ligjor të plotë për mbrojtjen e fëmijëve”, shpjegon Piccard.

Ekipi i Terre des hommes, në përkrahje të fëmijëve të Kosovës, është i angazhuar që të ndihmojë institucionet e Kosovës, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të zbatojnë kuadrin ligjor ekzistues, ta përmirësojë atë, si dhe rezolutat ndërkombtare të mbrojtjes së fëmijëve.

Strategjia e organizatës është e përqëndruar në krijimin dhe funksionimin sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.

Terre des hommes, tashmë ka krijuar Task Forcat, si një sistem të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, të cilat funksionojnë dhe merren me raste individuale duke ndërhyrë dhe ndihmuar fëmijët.

Tdh gjithashtu punon në përkrahjen e organizatave lokale, të cilat tashmë kanë krijuar me mbështetjen e Tdh, një koalicion të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë. Tutje ndihma zvicerane ka shkuar në organizimin e shume aktiviteteve psikosociale me fëmijët.

“Terre des hommes mbështet institucionet kosovare me trajnime, duke sjelle teknikat më të reja të mbrojtjes së fëmijëve, për akterët që janë të involvuar direkt në këto fusha”, tregon Piccard.

Tdh gjithashtu ka ndërmjetësuar në shkëmbimin e përvojave midis psikologëve zviceriane te kantonit të Vaud dhe atyre të Kosovës.

Në këtë kuadër, një vizitë e psikologëve të Kosovës do të zhvillohet në shtator të këtij viti në shkollat e kantonit të Vaud, me qëllim që nëpërmjet këtyre shkëmbimeve të përmirësohen kapacitetet e institucioneve kosovare.

“Megjithate, insiston Piccard “Tdh ka për qëllim të gjejë zgjidhje të cilat janë të adaptuara për kontekstin specific të Kosovës. Si shembull, unë jam zviceranja e vetme në ekipin e projektit. Duke pasur parasysh ekspertizën e kolegëve të mi kosovarë, ata e dinë mirë se çka duhet arritur në punën e tyre të përditshme me institucionet lokale dhe qendrore, sepse ata e njohin kontekstin lokal më mirë se sa ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë. Në këtë rrafsh Terre des hommes dëshiron që të arrijë qëndrueshmëri dhe rezultati të jetë i njerëzve të Kosovës, që janë të përfshirë dhe kontribuojnë direkt në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës”, shpjegon ajo.