Futboll

“The Guardian” shkruan për suksesin e Kosovës

Prestigjiozja britanike e quan rrugëtimin e “Dardanëve” një “përrallë futbolli”, para finales vendimtare ndaj Turqisë në Prishtinë

Kombëtarja e Kosovës është vetëm një ndeshje larg një arritjeje historike, kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës 2026, ka shkruar prestigjiozja britanike The Guardian, përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij mediumi, “Dardanët” kanë bërë një rrugëtim mbresëlënës në eliminatore dhe kanë siguruar finalen e “play-off”-it pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në transfertë. Në atë përballje spektakolare, Kosova arriti të rikthehej dy herë në rezultat, duke marrë një triumf që tashmë po cilësohet si historik.

Tani, gjithçka do të vendoset në një përballje të vetme kundër Turqisë, e cila do të zhvillohet në Prishtinë, ndërsa fituesi do të sigurojë një vend në Botërorin që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

The Guardian e ka cilësuar këtë rrugëtim të Kosovës si një “përrallë futbolli”, duke pasur parasysh se shteti u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016, ndërsa brenda pak vitesh është afër pjesëmarrjes në një turne madhor botëror.

Në prag të finales, trajneri Franco Foda dhe lojtarët kanë kërkuar qetësi dhe fokus maksimal, megjithëse entuziazmi i tifozëve është në nivel të jashtëzakonshëm. Mediumi britanik thekson se interesimi për këtë ndeshje është aq i madh, sa stadiumi në Prishtinë nuk do të mjaftonte për të gjithë të interesuarit.

Një kualifikim i mundshëm do të përfaqësonte jo vetëm sukses sportiv, por edhe një simbol të madh për shtetin më të ri në Evropë, duke dëshmuar rritjen dhe unitetin përmes futbollit./Albinfo.ch