Kosova
Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër
Nga diplomimi për mjekësi në Universitetin e Bazelit, te përvoja profesionale, dy mjekë shqiptarë në Zvicër drejt doktoraturës
Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi janë dy të rinj shqiptarë që po konsiderohen shembull suksesi i diasporës shqiptare në Zvicër. Me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe disiplinë të vazhdueshme, ata kanë përfunduar studimet në mjekësi në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një rrugë të re drejt karrierës profesionale dhe duke frymëzuar brezat e rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre akademike.
Dy histori të ndryshme, një synim i përbashkët
Rrugëtimi i Thesar Abdullahut dhe Morgan Hetemit drejt diplomimit në mjekësi në Universitetin e Baselit nis nga përvoja personale të ndryshme, por të ndërtuara mbi të njëjtën bazë, me përkushtimin ndaj dijes dhe disiplinën e vazhdueshme.
Të dy me prejardhje nga Kosova, ata kanë përfunduar studimet në Universitetin prestigjioz të Baselit, duke hapur një kapitull të ri profesional në fushën e mjekësisë.
Thesari është lindur dhe rritur në Zvicër, në Pratteln, ku ka përfunduar shkollimin fillor, ndërsa gjimnazin e ka vazhduar në Muttenz. Për vite me radhë, jeta e tij ka qenë e ndarë mes librave dhe pishinës së notit. Si sportist, ai ka mësuar herët se suksesi kërkon ekuilibër dhe vetëkontroll. “Noti ka qenë një nga ekuilibrat më të rëndësishëm në jetën time”, thotë ai, duke theksuar se sporti e ka ndihmuar të ruajë balancën mes shkollës dhe jetës së përditshme.
Ndryshe nga Thesari, Morgani ka lindur në Breitenbach të kantonit Solothurn, por është rritur në Arlesheim të Bazelit, aty ku edhe ka hedhur hapat e parë të arsimit. Gjimnazin e ka ndjekur në Münchenstein, ndërsa zgjedhja për të studiuar mjekësi në Universitetin e Baselit ka qenë një vazhdimësi e natyrshme e rrugëtimit të tij akademik. “Jam rritur në rrethin e Baselit dhe studimet në këtë universitet ishin një hap logjik për mua”, shprehet ai për platformën Albinfo.ch duke nënvizuar rëndësinë e mjedisit në formimin e tij profesional.
Dy histori të ndryshme, por që takohen në të njëjtën pike, auditorët e Universitetit të Baselit, ku pas viteve të gjata studimi, përkushtimi dhe sakrifice, të dy kanë arritur të realizojnë një nga synimet më të mëdha të jetës së tyre, duke diplomuar për mjekësi.
Rrugëtimi profesional i dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel
Rrugëtimi akademik i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut nuk ka qenë vetëm një sfidë individuale, por edhe një përvojë e ndarë mes miqësisë, identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. Që në semestrin e parë të studimeve në Universitetin e Baselit, ata kanë gjetur te njëri-tjetri jo vetëm një koleg, por edhe një lidhje kulturore që i ka afruar menjëherë.

Thesari kujton se njohja me Morganin erdhi natyrshëm, sapo zbuluan se të dy kishin prejardhje nga Ferizaj. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim”, shprehet ai, për albinfo.ch. Kjo afërsi i shtyu të ruanin lidhjen me kulturën shqiptare edhe brenda një mjedisi akademik zviceran. Me dëshirën për të krijuar më shumë ura mes studentëve shqiptarë të mjekësisë dhe stomatologjisë, Thesari ndërmori iniciativën për të krijuar një grup të vogël studentësh nga vite të ndryshme studimi, ku shkëmbeheshin përvoja, këshilla dhe mbështetje. Edhe pse numri i studentëve shqiptarë në mjekësi mbetet i vogël, përpjekja për të ndërtuar një rrjet solidariteti ka qenë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të komunitetit.
Edhe për Morganin, kjo lidhje ka pasur një vlerë të veçantë. Ai thekson se të kesh dikë që ndan të njëjtat rrënjë e bën më të lehtë të kuptuarit reciprok. Takimet në kampus, pjesëmarrja në aktivitete shqiptare dhe shkëmbimi i përvojave si studentë me prejardhje kosovare kanë qenë momente që i kanë ndihmuar të ndihen më pranë njëri-tjetrit, edhe në një shoqëri ku, herë pas here, ndihet njëfarë distance kulturore.
Të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave, asaj zvicerane dhe shqiptare, ka qenë një tjetër element formues në rrugëtimin e tyre. Morgani e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të marrë më të mirën nga të dyja botët. I lindur dhe rritur në Zvicër, ai thekson se vlerat e familjes, bashkimi, respekti dhe mirënjohja, vijnë nga kultura kosovare dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tij. Kjo përzierje kulturash, sipas tij, e ka bërë më të hapur ndaj këndvështrimeve të ndryshme dhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka për të dhënë shembull pozitiv si i ri me prejardhje shqiptare. Në të njëjtën frymë, Thesari mendon se kjo përvojë përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme. Ai vëren se kontrasti mes dy botëve është i madh, por pikërisht nga ky kontrast ka mësuar të vlerësojë diversitetin dhe fleksibilitetin. Dashuria për Kosovën, e përcjellë nga prindërit, mbetet për të një burim force dhe qëndrueshmërie, edhe pse kontaktin e parë me vendin e origjinës e ka pasur relativisht vonë. Sipas tij, balancimi i dy kulturave nuk është gjithmonë i lehtë, por kur arrihet, shndërrohet në një avantazh të rrallë personal dhe profesional.
Pas diplomimit, planet e tyre profesionale janë të qarta, por njëkohësisht të hapura ndaj bashkëpunimit. Thesari synon ta vazhdojë specializimin në Zvicër, ndërsa shpreh dëshirën për të ndërtuar ura bashkëpunimi me mjekë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Për të, shkëmbimi i përvojave dhe ndihma e ndërsjellë mes profesionistëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë, mund të krijojë vlera të mëdha për komunitetin. Kontributi ndaj vendit të origjinës, qoftë edhe përmes hapave të vegjël, mbetet një nga synimet e tij afatgjata.
Karriera e re e dy mjekëve shqiptarë pas diplomimit në Bazel
Pas përfundimit të studimeve, rrugëtimi profesional i Morgan Hetemit dhe Thesar Abdullahut ka hyrë në një fazë të re, ku teoria po shndërrohet gradualisht në praktikë dhe përgjegjësi konkrete.

Morgani ndodhet tashmë në një proces intensiv profesional. Ai është duke punuar në doktoraturën e tij në Spitalin St. Clara në Bazel, ndërkohë që është aktiv edhe si tutor për studentët e mjekësisë në nivel master, duke i ndihmuar ata në përgatitjen për provimet praktike. Këtë angazhim ai e përshkruan si një përvojë shumë të vlefshme dhe motivuese, që i ka forcuar edhe më shumë bindjen për rëndësinë e ndarjes së dijes. Në vazhdim, ai do të kryejë shërbimin praktik katërmujor si mjek ushtarak dhe gjatë verës do të fillojë punën e tij të parë si mjek asistent në rajonin e Bazelit. Morgani e lë të hapur mundësinë për përvoja profesionale jashtë vendit, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor, por nuk përjashton as një angazhim të përkohshëm në Kosovë apo Shqipëri, si pjesë e një rrugëtimi që dëshiron ta mbajë të hapur dhe dinamik.
Ndërkohë, Thesari po kryen shërbimin e tij ushtarak, një fazë tranzicioni para fillimit të angazhimeve të reja akademike dhe klinike. Menjëherë pas përfundimit të tij, ai do të nisë punën në kuadër të doktoraturës në Spitalin “Insel” në Bernë, ndërsa nga muaji qershor planifikon të fillojë specializimin në mjekësinë e brendshme në Bazel. Edhe pse ende nuk është vendosur përfundimisht për një drejtim specifik, interesimi i tij shtrihet në fusha të rëndësishme si kardiologjia, gastroenterologjia dhe urologjia. Për të, kjo fazë përfaqëson një periudhë eksplorimi profesional, ku dëshiron të ndërtojë bazën e duhur për vendime afatgjata.
Për të dy, përvoja e studimeve dhe sfidat e përballuara gjatë këtyre viteve janë shndërruar edhe në një mesazh të qartë për brezat e rinj shqiptarë që ëndërrojnë mjekësinë. Thesari thekson rëndësinë e kurajos dhe këmbënguljes, duke nënvizuar se studimet në këtë fushë kërkojnë disiplinë dhe përkushtim të madh, por se çdo përpjekje ia vlen. Ai inkurajon të rinjtë të mos hezitojnë të kontaktojnë njerëz, të pyesin dhe të marrin iniciativa, sepse shpesh pikërisht këto hapa bëjnë diferencën drejt suksesit.
Në të njëjtën frymë, Morgani këshillon të rinjtë që të informohen mirë, të dëgjojnë veten dhe të mos tremben nga vështirësitë apo testet e pranimit. Sipas tij, profesioni i mjekut është një nga më të bukurit dhe më të larmishmit, me shumë rrugë dhe mundësi zhvillimi, dhe aty ku ka vullnet, gjithmonë ka edhe rrugë për të arritur qëllimin.
Pavarësisht angazhimeve profesionale në Zvicër, lidhja me Kosovën mbetet e fortë për të dy. Thesari shprehet se Kosova për të nuk është thjesht një vend, por një ndjenjë e thellë që i jep forcë dhe identitet. Ai e viziton rregullisht, disa herë në vit, dhe ruan një lidhje shumë të ngushtë me familjen atje, të cilën e konsideron një mbështetje të vazhdueshme në gjithë rrugëtimin e tij. Edhe për Morganin, vizitat në Kosovë janë momente rikthimi tek rrënjët, qoftë për të takuar familjen apo për të përjetuar atmosferën e vendit, të cilën e përshkruan si gjithmonë të veçantë dhe frymëzuese. /Albinfo.ch

E-Diaspora
-
Vjenë
Kosti Deti mahnit me performancën e tij në Ambasadën Italiane në Vjenë Një mbrëmje e veçantë muzike me Kosti Detin në Vjenë... -
Shefi i Ushtrisë Zvicerane, së bashku me Ylfete Fanaj, vizituan trupat në Kosovë -
Kryetari shqiptar i Morbachut bëhet viral në Gjermani -
Ambasada e Kosovës në Zvicër takim me mjekë të rinj kosovarë në Bernë -
Bazel
E vetme, me valixhen plot ëndrra, Fjolla ja doli
Jeta në Zvicër
-
2025, një nga vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë Viti 2025 është një nga vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë, sipas MeteoSwiss, i cili... -
Forumi Ekonomik: Kostot e sigurisë vazhdojnë të rriten -
Tesla godet një automjet policie, duke shkaktuar dëme prej 100,000 frangash -
Rriten lëndimet gjatë Krishtlindjeve në Zvicër -
Miliona franga dëmi i shkaktuar nga zjarri në Hauptwil, Thurgau











