Thurgau: Hiqet ndalesa e mbulesës në shkollë

Gjykata kantonale e Thurgaut e ka pezulluar ndalesën e një shkolle në Burglen ndaj bartjes së shamisë nga dy nxënëse shqiptare

Gjykata administrative e Kantonit të Thurgau e ka pezulluar vendimin e një shkolle të lokalitetit të Bürglen, njoftojnë mediet zvicerane.

Arsyeja e tërheqjes të ndalesës për bartjen e mbulesës islamike nëpër shkolla është mungesa e bazës legale të mjaftueshme për një ndalesë të përgjithshme.

Veç kësaj, sipas Gjkykatës, ky vendim nuk e respektonte po ashtu parimin e proporcionalitetit, princip ky i rëndësishëm në sistemin juridik zviceran, krahas parimeve të tjera, siç janë legalititeti, barazia etj.

Ky vendim bie në kundërshtim me Departamentin e Arsimit Publik të kantonit të Thurgau-s, i udhëhequr nga ministrja e SVP-UDC, Monika Knill, e cila në vjeshtë 2011 e kishte aprovuar, në instancë të parë, vendimin e shkollës në Bürglen.

Në fakt, në pranverë të vitit 2011 shkolla ia pati ndaluar dy nxënësve shqiptare bartjen e shamisë gjatë orëve të mësimit. Drejtoria e shkollës e kishte vlerësuar se shamia binte në kundërshtim me rregullat shkollore të veshjes së nxënësve.

Sipas lajmeve të fundit, shkolla në fjalë nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet këtij vendimi të gjykatës dhe se ka vendosur ta bartë çështjen para Gjykatës Federale. „Në këtë mënyrë, ne shpresojmë, ne shpresojmë se do ta kemi një qartësim definitiv të kësaj çështjeje”, ka deklaruar për gazetën SonntagsZeitung Rolf Gmünder, drejtor i kësaj shkolle.