Maqedonia

Tragjedi në Shkup, një nënë hidhet nga ballkoni me gjithë fëmijën e saj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin sot, më 2 mars, rreth orës 14:00, në lagjen Karposh, ku një grua së bashku me foshnjën e saj humbën jetën, pasi u hodhën nga një ndërtesë banimi, raportojnë mediat lokale.

Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, viktimat ndërruan jetë në vend. Rrethanat e plota të rastit janë ende në hetim nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, dëshmitarë dhe banorë të zonës kanë deklaruar për mediat se gruaja dyshohet të ketë qenë viktimë e dhunës në familje për një periudhë të gjatë.

Në një reagim publik, vëllai i viktimës, Aleksandar Stojanoski, e cilësoi ngjarjen si një dështim të rëndë institucional. “Edhe pse është e vështirë për mua, dua të flas në emër të familjes sime, sot ndodhi një vrasje. Sot dështoi Ministria e Brendshme, Shërbimet Sociale, sot dështoi i gjithë sistemi ynë. Pas shumë vitesh raportimesh për dhunë fizike dhe psikologjike, kërcënime dhe incidente serioze, humba motrën dhe mbesën time,” u shpreh ai.

Stojanoski theksoi se familja do të kërkojë drejtësi dhe u bëri thirrje institucioneve dhe opinionit publik që rasti të mos trajtohet si një statistikë e radhës.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë të detajuar mbi rastin, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.