Lajme
Turqia regjistron temperaturën më të lartë ndonjëherë
Turqia ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë, në një valë përvëluese të të nxehtit që ka kapluar pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor. Ministria e Mjedisit e Turqisë njoftoi se të premten në qytetin juglindor të Silopit, pranë kufirit me Irakun dhe Sirinë, janë matur 50.5 gradë Celsius, një rekord kombëtar i ri, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.
Temperatura, e konfirmuar nga meteorologët, u bë publike të shtunën përmes një njoftimi në platformën X, ku u theksua se ky është rekordi më i lartë që nga fillimi i matjeve, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 49.5 gradë Celsius të vendosur në gusht të vitit 2023.
Vala e të nxehtit, që filloi të hënën, ka përfshirë të gjithë vendin dhe pritet të zgjasë edhe për disa ditë. Sipas autoriteteve turke, 132 stacione meteorologjike kanë regjistruar temperatura rekord për muajin korrik, me termometrat që në disa zona treguan deri në 12 gradë më shumë se mesatarja sezonale.
Në qytetin bregdetar të Antalias, temperaturat arritën në 46.1 gradë Celsius, vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë për muajin korrik që nga viti 1930. Erërat e forta dhe thatësia e kanë përkeqësuar situatën, duke nxitur dhjetëra zjarre në të gjithë territorin.
Të premten, një zjarr shpërtheu pranë ndërtesave shumëkatëshe në Antalia, duke detyruar evakuimin e banorëve në qytet dhe në rrethinën Aksu. Flakë janë raportuar edhe në Karabuk, Sakarya dhe Bilecik në Turqinë veriore, ndërsa disa fshatra janë evakuuar si masë sigurie.
Tragjedia më e madhe ndodhi të mërkurën, kur 13 persona humbën jetën teksa po luftonin flakët në Eskisehir, në Turqinë perëndimore. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e quajti situatën një “katastrofë të madhe” dhe njoftoi se 25,000 punonjës janë angazhuar në përballjen me flakët, të ndihmuar nga 27 aeroplanë, 105 helikopterë dhe 6,000 mjete tokësore.
Valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Greqinë, Qipron dhe Shqipërinë. Në Greqi, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të përballuar zjarret masive që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit. Një zjarr i fuqishëm në veri të Athinës ka detyruar evakuimin e banesave, ndërsa flakët janë përhapur nga erërat e forta në Peloponez dhe në ishujt Kretë, Eubea dhe Kythera.
Autoritetet greke kanë mbyllur përkohësisht Akropolin gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe u kanë bërë thirrje turistëve që të shmangin qëndrimin në diell, raporton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria













