Gjuha
U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër
Të dielën, më 29 mars 2026, në Suhr, në ambientet e Zyrës së LAPSH-it, u mbajt me sukses Kuvendi i radhës i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, një moment i rëndësishëm për reflektim, organizim dhe orientim të mëtejshëm të veprimtarisë së shkollës shqipe në këtë kanton.
Takimi kishte dy pika kryesore të rendit të ditës: zgjedhjen e Kryesisë së re dhe organizimin e manifestimit shkollor me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/26.
Pas miratimit të rendit të ditës dhe përcaktimit të organeve të punës, pjesëmarrësit vijuan me shqyrtimin e çështjeve kryesore. Kuvendi u hap nga kryetari, z. Riza Demaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e unitetit, bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të arsimit shqip në diasporë. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për të gjithë mësuesit, të cilët ndër vite punojnë me përkushtim të lartë, falë të cilëve Kantoni i Argaut renditet ndër më të suksesshmit në Zvicër sa i përket organizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Në këtë Kuvend ishte e pranishme edhe Znj. Besarta Balaj, Zyrtare e Lartë për Mësimin Plotësues në Mërgatë, e cila përgëzoi punën e suksesshme të mësueseve të shkollave shqipe në këtë kanton duke i motivuar dhe duke shpreh gatishmërinë për një bashkëpunim sa më funksional në shërbim të organizimit të mësimit në gjuhën shqipe.
Në kuadër të punimeve u prezantua raporti i punës për vitin 2025 dhe fillimin e vitit 2026, ku u evidentuan aktivitetet në pikat shkollore, bashkëpunimi me prindër dhe institucione, si dhe sfidat me të cilat përballet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, përfshirë çështjen e teksteve dhe komunikimit institucional. Me këtë rast u shpreh falënderim për institucionet mbështetëse, si Ambasada e Republikës së Shqipërisë, e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në mënyrë të veçantë për Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, e cila vazhdimisht ka kontribuar me tekste shkollore dhe përfaqësim në aktivitetet shkollore.
Një nga pikat kryesore të Kuvendit ishte zgjedhja e Kryesisë së re, ku me besimin e mësuesve dhe pjesëmarrësve u zgjodhën: Kryetar: Riza Demaj dhe Sekretar: Rexhep Neziri, si dhe anëtarët e Kryesisë: Elfete Gashi, Qefsere Sejdiu, Eshtrefe Nuhiu, Nuraj Iljasi, Zyrafete Muqolli, Halime Vishi, Sadete Musliu, Vjolla Kapsolli, Safete Budeci dhe Vaxhid Sejdiu.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe organizimit të Manifestimit të përfundimit të vitit shkollor 2025/26. Festa e fundvitit është një nga ngjarjet kryesore të LAPSH “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut dhe tashmë ka marrë përmasa të një feste mbarëkantonale. Në këtë aktivitet, nxënësit e shkollave shqipe prezantojnë programe kulturore e artistike, duke dëshmuar aftësitë e tyre gjuhësore dhe kulturore para prindërve dhe të ftuarve.
Në javët në vijim do të zhvillohen përgatitje intensive për realizimin sa më dinjitoz të këtij manifestimi. Mësuesit, në bashkëpunim me veprimtarë të arsimit shqip dhe me mbështetjen e prindërve vullnetarë, tashmë kanë nisur organizimin e detajuar të programit, ndarjen e përgjegjësive dhe përgatitjen e skenarit.
U bë e ditur se në Kantonin e Argaut veprojnë dhjetë mësues/e, të cilët gjatë gjithë vitit punojnë me përkushtim në shërbim të mësimit plotësues në gjuhën amtare. Ato/ata në fjalën e tyre radhitën një mori kërkesash të cilat mendohet se në të ardhmen do të gjejnë përgjigje veçanërisht ato të cilët kishin të bënin me organizimin e manifestimit.
Sipas vendimit të Kuvendit, Manifestimi tradicional i fundvitit shkollor do të mbahet më: 31 maj 2026, ora 14:00, në Küttigen të Kantonit të Argaut.
Ky manifestim përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të vitit, ku pasqyrohet puna dhe përkushtimi i mësuesve dhe nxënësve, si dhe mbështetja e vazhdueshme e prindërve.
Kuvendi përfundoi me mesazhin e përbashkët se vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithëve mund të ruhet dhe të forcohet gjuha, kultura dhe identiteti kombëtar në mërgatë.
Së bashku mundemi më shumë.
Së bashku e mbajmë gjallë gjuhën shqipe!
E-Diaspora
-
Austri
Aksident tragjik në Austri, ndërron jetë 18-vjeçari shqiptar nga Kosova Një i ri shqiptar nga Kosova, me inicialet Y.Z., ka humbur jetën në Austri si pasojë... -
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” -
Suedi
Dizajni kosovar prezantohet me sukses në skenën e modës në Stokholm -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Japoni
Erjon Krasniqi doktoron në Inxhinieri Ndërtimore në Japoni
Jeta në Zvicër
-
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës Për albinfo.ch Luljeta Ademi Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës... -
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran










