evente

Ujëra që lidhin brigje: Arti, muzika dhe përkatësia në bordin e CH-APEN

Një mbrëmje gala mbi ujërat e Liqenit të Lucernit dhe rrugëtimi i një vizioni që bashkon diasporën shqiptare në Zvicër

Nga një ide virtuale, në një platformë konkrete që ndërton ura mes profesionistëve, kulturës dhe identitetit të shqiptarëve! Kur vjen fjala për të krijuar ura mes kulturës, profesionit dhe identitetit shqiptar në Zvicër, CH-APEN është më shumë se një rrjet, është një vizion që vepron fuqishëm dhe me përkushtim.

Më 14 qershor 2025, mbi ujërat e liqenit të Lucernit, ky vizion mori trup dhe tingull në një mbrëmje gala ku diaspora shqiptare dëshmoi se dinjiteti i përbashkët ndërtohet përmes estetikës, frymës komunitare dhe standardit të lartë organizativ me klas. Më shumë se një ngjarje, ishte një pasqyrim i shpirtit të diasporës që beson në vlerat që i japin kuptim përkatësisë sonë.

Mbrëmjen e së shtunës, liqeni i Lucernit u bë skena natyrore e një prej ngjarjeve më përfaqësuese të diasporës shqiptare në Zvicër. Në bordin e anijes luksoze MS Diamant, me një pjesëmarrje mbi 200 persona, CH-APEN, Rrjeti zvicerano-shqiptar i profesionistëve dhe sipërmarrësve mirëpriti pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare, Zvicra dhe diaspora më e gjerë, në një mbrëmje gala verore të kuruar me përpikëri, klas dhe përmbajtje.

Që në çastet e para, mbrëmja rrezatonte finesë, mikpritje dhe një atmosferë të ngrohtë që paralajmëronte një përvojë të paharrueshme. Mysafirët u mirëpritën në një ambient solemn dhe estetik, ku programi nisi me fotografim në tapetin e kuq, të realizuara nga Rrim Foto, nën objektivin artistik të fotografit të mirënjohur Rromir Imami, duke ruajtur me mjeshtëri çdo detaj të kësaj nate të mrekullueshme.

Lundrimi nisi nga Luzerni rreth orës 19:00 nën tingujt e bendit “String String”, teksa peizazhet e Zvicrës u bënë sfond i një përvoje që ndërthuri artin, identitetin dhe bashkëkohësinë shqiptare. Në vijim, pas fjalës përshëndetëse të organizatorëve, programi artistik u hap nga aktori i njohur Fatmir Spahiu – Bufi, i cili me sharmin e tij e çoi publikun drejt thelbit të mbrëmjes: përbashkimin e vlerave tona përmes përvojës estetike dhe ndërgjegjes kulturore.

Pjesa e rëndësishme e programit ishte darkë e përzgjedhur me tri pjata, e shoqëruar me verëra, birra artizanale, pije freskuese dhe kafe, të shërbyera me klas gjatë gjithë mbrëmjes. Ndërkohë, zëri i Edona Reshitajt solli një dimension emocional, ku muzika shqiptare shndërrohej në urë të fuqishme ndjesish dhe kujtese artistike kolektive.

Një nga momentet më të veçanta ishte paraqitja e ekspozitës ekskluzive të Galerisë Qahili nga Prishtina, që solli në bord veprat e disa prej artistëve më të spikatur shqiptarë bashkëkohorë. Nën notat e segmentit muzikor “Classical Elegance” dhe hijeshinë e perëndimit të diellit mbi Vitznau, atmosfera e anijes u kthye në një përjetim të thellë estetik, simbolik dhe mbresëlënës.

Mbrëmja u përmbyll me një koncert të gjatë nga bendi “String String”, që solli tingujt e natës në harmoni me shpirtin e një komuniteti që di të festojë me dinjitet, të organizohet me përgjegjësi dhe të ndërtojë të ardhmen përtej kufijve.

CH-APEN: Nga një rrjet virtual në një platformë reale 

Në mesin e bashkëthemeluesve të CH-APEN janë Amir Rushiti, Leo Iseni, Bekim Dalipi, Gazmend Haliti dhe artisti i njohur Fatmir Spahiu – Bufi, i cili nuk mungon pothuajse në asnjë nga ngjarjet e organizatës, duke u shndërruar në një figurë të dashur dhe konstante në përfaqësimin e saj publik. Krahas këtij bërthame themeluese, CH-APEN mbështetet fuqimisht edhe nga një rreth gjithnjë në zgjerim i intelektualëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, mbështetja e të cilëve ka rezultuar vendimtare për konsolidimin dhe rritjen e ndikimit të platformës.

Sot, CH-APEN përveç një rrjet, është një platformë e bashkëkrijimit, që gërsheton gjenerata, profesione, institucione dhe kultura, në funksion të një qëllimi të përbashkët: forcimit dhe afirmimit të diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.

Një ftesë për pjesëmarrje aktive në rrugëtimin e përbashkët

Ngjarja në Lucern ishte një mbrëmje festive, përplot emocion dhe dashuri rreth e rrotull, me energji pozitive ndërnjerëzore, ishte një dëshmi se mërgata shqiptare në Zvicër është e aftë  ka cilësi, di t’i japë përmbajtje përfaqësimit dhe të ndërtojë ura të qëndrueshme mes komunitetit, artiit, institucioneve dhe bizneseve.

CH-APEN mbetet e hapur për të gjithë ata që ndajnë vlerat e përparimit të përbashkët, bashkëpunimit ndërprofesional dhe ruajtjes së identitetit kulturor.

CH-APEN është një platformë që nuk ndalet në veprim, ajo krijon, ndërton dhe përfaqëson. Mbrëmja e Lucernit ishte vetëm një kapitull në një rrugëtim më të gjerë, që i fton të gjithë ata që besojnë në bashkëpunim, që ruajnë kulturën, që synojnë përsosmërinë profesionale, të bëhen pjesë e kësaj historie të përbashkët. Sepse përfaqësimi nuk është rastësi. Është përgjegjësi. Dhe bashkë, kemi fuqinë ta mbartim këtë përgjegjësi me krenari, elegancë dhe vizion për të ardhmen.

Fotografitë dhe videokronikat nga mbrëmja janë të publikuar në kanalet zyrtare të CH-APEN.

Luljeta Ademi