Kriza në Ukrainë

Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sot nga 185 të burgosur lufte

Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sot nga 185 pjesëtarë të forcave të tyre në raundin e fundit të shkëmbimit të të burgosurve të luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se shumica e 185 ukrainasve të kthyer kanë qenë në robëri ruse që nga viti 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se personi më i moshuar i kthyer në këtë shkëmbim është 62 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Ky shkëmbim është i dyti në kuadër të një marrëveshjeje mes dy vendeve për lirimin e gjithsej 1.000 të burgosurve të luftës nga secila palë, si pjesë e një armëpushimi treditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të majit, raporton Reuters.

Në procesin e ndërmjetësimit kanë marrë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë ndihmuar edhe në shkëmbimet e mëparshme, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë përmes Telegramit.