Lajme

Ulje e befasishme e papunësisë në Zvicër në qershor

Ekspertët e fushës, duke llogaritur pasojat e koronavirusit, janë shprehur të befasuar me uljen e shkallës së papunësisë në qershor

Shkalla e papunësisë në Zvicër ka rënë në 3.2 për qind në qershor, pas ngritjes në 3.4 për qind që kjo shkallë kishte shënuar në maj, raporton Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (Seco).

Para shpërthimit të krizës së koronavirusit – në muajin shkurt – ajo kishte qenë 2.5 për qind, shkruan srf.ch.

Sipas anketave të realizuara nga Seco, 150.2289 persona të papunë kanë qenë të regjistruar në qendrat rajonale të punësimit në fund të qershorit, që është 5.709 më pak se në muajin e kaluar.

Ekonomistët dhe ekspertët e fushës janë shprehur të befasuar me uljen e shkallës së papunësisë në qershor, transmeton albinfo.ch. Ata, si pasojë e vazhdimit të krizës së koronavirusit, kishin parashikuar një ngjitje në 3.55 ose të paktën një vendqëndrim në 3.4% sa ishte në maj.

Papunësia gjithashtu ka pësuar rënie në shumicën e nëngrupeve. Tek adoleshentët (15-24 vjeç) ajo ka rënë në 3.3 nga 3.4 për qind, ndërsa në grupmoshën më të vjetër (50-64 vjeç) ajo ka shënuar rënie  në 2.9 nga 3.0 për qind.

Shkalla e papunësisë në mesin e zviceranëve ka mbetur e pandryshuar në 2.4 për qind, përcjell albinfo.ch. Ndërkaq kjo shkallë ka pasur një rënie të konsiderueshme në mesin e të huajve, ku norma është përmirësuar në 5.5 për qind nga 5.9 për qind sa ka qenë në muajin maj.

Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, papunësia megjithatë është rritur për 53.067 persona (+54.6 për qind).