Lajme
Valais ndan 10 milionë franga për viktimat e tragjedisë në Crans-Montana dhe familjet e tyre
Këshilli i Shtetit i Kantonit Valais ka vendosur të ndajë 10 milionë franga zvicerane për fondacionin që po krijohet në ndihmë të viktimave të zjarrit tragjik në lokalin Le Constellation në Crans-Montana dhe familjeve të tyre. Po ashtu, shteti do të mbulojë shpenzimet e varrimit dhe të riatdhesimit për të gjithë të ndjerët.
Presidenti i qeverisë së Valais, Mathias Reynard, deklaroi të hënën se statutet e fondacionit janë miratuar në nivel kantonal dhe se llogaria bankare tashmë është hapur. “Procesi i krijimit të fondacionit është në zhvillim,” tha ai.
Sipas Reynard, përveç 10 milionë frangave të siguruara nga shteti, disa milionë franga të tjera janë premtuar nga donatorë privatë. Ai theksoi se qëllimi i fondacionit nuk është të zgjidhë të gjitha pasojat e tragjedisë, por të garantojë që çdo viktimë të marrë ndihmën e nevojshme.
Shteti i Valais ka vendosur gjithashtu të mbulojë shpenzimet e varrimit për 40 viktimat, pavarësisht nëse janë shtetas zviceranë apo të huaj. Këto masa i shtohen ndihmës emergjente prej 10 mijë frangash, e cila po u shpërndahet të gjitha familjeve të viktimave të shtruar në spital apo të ndjerëve, thuhet në një komunikatë për media.
Ndihma financiare pa pritur vlerësimin e sigurimeve
Kantoni ka vendosur të zbatojë rekomandimet e Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (CDAS), të cilat parashikojnë ofrimin e shpejtë dhe të koordinuar të ndihmës sipas Ligjit Federal për Ndihmën ndaj Viktimave të Krimit (LAVI), pa procedura të rënda administrative.
“Kemi vendosur të mos presim vlerësimin e mbulimit të kostove nga kompanitë e sigurimeve. Ndihma financiare do të jepet menjëherë dhe vlerësimet do të bëhen më vonë,” sqaroi Reynard.
Statusi i viktimave zgjerohet
Sipas CDAS, si viktima të zjarrit konsiderohen jo vetëm personat e vdekur apo të plagosur, por edhe ata që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, personat që hynë për të shpëtuar të tjerë, si dhe ata që ndodheshin në afërsi të menjëhershme të dramës dhe kishin frikë për jetën ose shëndetin e të afërmve të tyre.
Edhe familjarët e këtyre personave kanë të drejtë të përfitojnë nga ndihma e qendrave LAVI. Autoritetet theksojnë se edhe personat që jetojnë jashtë Zvicrës duhet të kenë akses të lehtësuar në këtë ndihmë.
Qëllimi i këtyre masave është të sigurohet trajtim i barabartë për të gjitha viktimat në nivel kombëtar, si dhe koordinim më i mirë mes qendrave LAVI, duke marrë parasysh nevojat gjuhësore dhe vendndodhjen gjeografike të të prekurve.
Kostoja e tragjedisë mund të arrijë një miliard franga
Sipas gazetës kantonale Le Nouvelliste, kostoja totale e zjarrit në lokalin Le Constellation, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, mund të arrijë deri në një miliard franga zvicerane.
Vlerësimet fillestare të kërkesave civile variojnë nga 600 milionë deri në një miliard franga, duke përfshirë shpenzimet mjekësore, humbjen e të ardhurave dhe dëmin moral.
E-Diaspora
-
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane Nga përballja me sfida të rënda personale dhe shëndetësore e lindi libri i saj, “Shërimi përmes... -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë -
Cyrih
Festa e Fitër Bajramit bashkoi besimtarët shqiptarë në Cyrih
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave











