Kosova
Vepra “Abetare” e Petrit Halilajt inaugurohet në New York
Muzeu Metropolitan i Artit në New York ka inauguruar në tarracën e çatisë instilacionin skulpturor të Petrit Halilajt, artistit shqiptar.
Sipas komunikatës së lëshuar nga Muzeu Metropolitan i Artit, instalacioni eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botës së pasur të vizatimeve të fëmijëve.
“Skulpturat metalike janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, Kosovë, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike”, shkruhet në komunikatë.
Aty shkruhet se instalacioni “Abetare”, i komisionuar nga Muzeu, është i 11-ti në serinë e krijimeve të komisionuara për ambiente të hapura.
“Me entuziazëm të lartë, Muzeu komisionoi dhe zbuloi instalacionin skulptural të Petrit Halilajt në tarracën e Iris dhe B. Gerald Cantor, për të krijuar një bashkëbisedim të ndier mes artistit, Muzeut, qiellit të Manhattanit, dhe jo vetëm”, citohet të ketë thënë Max Hollein, drejtor i Marina Kellen French i Muzeut Metropolitan të Artit T.
“Puna inspiruese dhe shumëdimensionale e Petrit Halilajt ka rrënjët në historinë dhe në vendlindjen e artistit, megjithatë është vizionare dhe ndërkombëtare. Ajo shtjellon fuqishëm kompleksitetin dhe rolin e imagjinatës së fëmijërisë në tregimin e ngjarjeve historike”, ka shkruar ai.
Kurse Halilaj ka folur për ëndrrat e nxënësve.
“Shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, përmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e kokës së tyre. Fillova ta hulumtoja këtë si praktikë më 2015, dhe ishte e rëndësishme atëherë për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i bart në Evropë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET u dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do të na fluturojnë në një të ardhme më të bukur” citohet të ketë thënë Halilaj.
Sipas komunikatës, të përhapura rreth tarracës “vizatimet në hapësirë” bashkohen me arkitekturën dhe peizazhin përreth, duke krijuar një skenografi multivokale me një narrativë të hapur./Koha.net
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Thyhet krahu i vinçit: 29-vjeçari vdes në vendin e punës në Egg, Cyrih Me gjithë përpjekjet për ringjallje nga paramedikët, punëtori vdiq në vendngjarje... -
Kantoni i Cyrihut ul taksat – Ulja më e madhe në 20 vitet e fundit -
Kërkohet me peticion heqja e klasit të parë në transportin publik -
Një lehtësim i vogël për nxënësit e shkollave ndërkufitare -
Mungesa e fondeve vonon lançimin e kartës elektronike të identitetit të Zvicrës













