Lajme
Vepra dhe mesazhi i Sylë Mujajt: Një testament i shpirtit artistik
Sylë Mujaj, një ish i burgosur politik, ka kthyer përvojat e tij të vuajtjeve dhe dhunës në art të fuqishëm përmes mozaikëve dhe skulpturave
Mes miqsh, artistësh, dashamirësh të artit, familjarësh dhe zyrtarësh, në Paradiso të Luganos u nderua artisti Sylë Muja, një figurë e shquar që ka shndërruar vuajtjet e tij në një vepër të fuqishme artistike. Ky eveniment celebrues shënoi njohjen e kontributit të tij në art dhe kulturën shqiptare, duke reflektuar mbi përvojat e tij të vështira dhe shpresën që ai përcjell përmes krijimeve të tij.
Artisti që shndërroi vuajtjet në mozaik shprese
Sylë Mujaj, një ish i burgosur politik në burgun famëkeq të Nishit, ka kthyer përvojat e tij të vuajtjeve dhe dhunës në art të fuqishëm përmes mozaikëve dhe skulpturave. Vepra e tij “Lule në beton” reflekton jo vetëm mbi dhimbjet personale dhe tragjeditë e popullit shqiptar, por edhe mbi shpresën dhe forcën për t’i kapërcyer ato. Skulpturat, shpesh të krijuara nga buka në burg, përçojnë mesazhe të drejtësisë dhe dinjitetit, pa urrejtje. Ekspozitat e tij ndërthurin elemente të trashëgimisë shqiptare dhe përjetimeve të popullit arbëresh, duke nderuar heronjtë kombëtarë. Mujaj ka ekspozuar në qytete të ndryshme evropiane dhe tani është ftuar edhe në Japoni. Përmes artit të tij, Syla kujton sakrificat e burgosjes, ndërsa Zvicra i dha mundësinë për të vazhduar krijimtarinë. Ekspozitat e tij prekin thellësisht vizitorët, duke reflektuar mbi kujtesën kolektive dhe triumfet e jetës.
Sylë Mujaj: Arti që triumfon mbi vuajtjen dhe dhimbjen
“Shtatë vjet e gjashtë muaj në izolim total në burgun e Nishit, 10 vjet burgim aty, dhe vetëm 50 centimetra hapësirë në beton. Nga revolta ime e brendshme, nuk e haja bukën, por e ktheja atë në skulpturë. Drejtori i burgut më pyeti një ditë: ‘Pse nuk e ha bukën?’ Për mua më e vlefshme ishte të krijoja skulpturën e ‘Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit’ me tulin e bukës. Ai më tha: ‘Ma jep këtë dhuratë’. I thashë: ‘Unë nuk kam ngrënë bukë, ti më ke dënuar, më ke lënë pa bukë, e unë kam krijuar një skulpturë’. Ai nuk e dinte që simbolika e kësaj skulpture ishte me ‘Lidhjen e Prizrenit’. I thashë: ‘Ti po e merr këtë dhuratë, por një ditë do të pendohesh’. Katër vjet më vonë, kur më në fund kuptoi simbolin e veprës, më dënoi sërish. Më tha: ‘Çfarë dhurate më paske dhënë?!’ Dhe unë ia ktheva: ‘Ma ke marrë vetë, ma ke marrë bukën time. Unë jam fituesi, sepse me tulin e bukës kam krijuar, ndërsa ti më ke lënë me barkun bosh’. Në atë izolim të tmerrshëm, kriminelët ishin futur që të më vrisnin çdo ditë. U premtonin liri nëse më vrisnin, duke u ofruar një ulje prej 6 vitësh burgim. Dhe kush nuk do ta bënte këtë për të fituar lirinë e vet? Për fat, jam gjallë. Kam pësuar fraktura të shumta në trup, dhe në burgun e Nishit ishim mbi 200 të burgosur që jetonim nën këtë terror të vazhdueshëm. Por unë mbijetova, dhe Zvicra më dha shpresë. Kur dola, erdha pa lugë, pa pirun, duke filluar gjithçka nga e para. Gruaja ime, Fetija, më priti për 10 vjet. Sot, kemi tre fëmijë të pavarur: Fjollën, Vesën dhe Blinin, të cilët janë tre yje që na ndriçojnë. Ne jetojmë në kushte të mira, dhe unë vazhdoj të krijoj. Nga grafika e zezë kam kaluar në mozaik, duke ekspozuar në vende të ndryshme, si Vjena, Franca, Berlini dhe Gjeneva. Tani jam i ftuar nga Sabri Kiçmari (ambasadori i Kosovës në Japoni) në Tokio, ku do të ulemi në qilima dhe do të flasim për vuajtjet tona edhe atje.
Sot dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë aktivitet. Një nder të veçantë më bëri Lidhja e Krijuesve Shqiptarë, në krye me Mentor Thaçin, Musa Jupollin, Shefqet Dibranin, Rexhep Rifatin, Gaitano Bllaiotta, Helenën e të gjithë të pranishmit. Kam një mesazh për të rinjtë: ashtu si mbesa ime që foli për kostumografinë, duhet të kuptojmë që kostumet tona janë të lashta, që nga koha para Krishtit. Mesazhi është i qartë: të rinjtë duhet të shohin edhe vuajtjet tona, sepse nuk janë për t’u harruar. Paraja nuk është gjithçka, por shpirti është ai që ka rëndësi. Dhurata që i bëra sot “Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë” është një pjesë e shpirtit tim dhe jam i lumtur që shkoi në vendin e duhur. Në fund, dua të falënderoj të gjithë grupin e artistëve që erdhën nga Franca, Austria, Gjermania, Italia, Danimarka – pa përjashtim, faleminderit të gjithëve”.
Shpresa Mujaj Pacolli (motra e artistit): Art që lidh familjen dhe kujtimet
“Për mua, këto punime artistike kanë një domethënie të thellë, pasi përmes tyre kam njohur edhe më mirë vëllain tim. Kur ai ra në burg, unë isha ende fëmijë dhe kur ai doli, isha maturante. Më mungoi shumë gjatë asaj periudhe. Një nga veprat që më prek më shumë është poezia për nënën, ku ai krijoi një vepër arti nga tuli i bukës. Jo nga buka e bollshme, por nga ajo që ndante me të tjerët, duke e lënë veten me barkun bosh, për të mos çmendur veten – që ishte pikërisht qëllimi i pushtuesit. Krenaria që ndjej për të është e pafund”.
Veton Mujaj (vëllai i artistit): Sfidat dhe krenaria familjare
“Pothuajse edhe jeta ime ka qenë e lidhur ngushtë me ngjarjet dhe rrjedhat që përjetoi vëllai im. Më kujtohet se kur ai ishte në burg, njerëzit kishin frikë të uleshin pranë babait tonë, për shkak të ndonjë pasojë që mund të vinte nga bisedat me të, pasi vëllai konsiderohej ‘kontrarevolucionar’. E gjithë familja, madje edhe një pjesë e shoqërisë, u formësua në një mënyrë tjetër nga këto përvoja. Kosova ka ndryshuar, dhe besoj se edhe shqiptaria ka evoluar përmes sakrificave të tilla, siç e dëshmojnë këto ekspozita. Duke nisur nga tuli i bukës, në rrethana të pamundura, për të krijuar skulptura, e deri tek mozaikët modernë, ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, por plot durim dhe sakrificë, jo vetëm për vëllain tim, por edhe për popullin tonë. Besoj se në të ardhmen populli ynë do të jetë shumë më mirë”.
Fetije Mujaj, bashkëshortja: Arti si mjet mbijetese dhe lidhjeje me Kosovën
“Ne i përkasim gjeneratës së vitit 1981, të demonstratave. Unë isha studente kur u njohëm me Sylën, dhe e prita për 10 vjet deri sa ai doli nga burgu. Në vitin 1991 migruam në Lugano dhe kemi tre fëmijë. Syla ka pikturuar në mënyrë autodidakte dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita, duke mbajtur gjithmonë ngjalljen e artit. Ka krijuar art, dhe përmes tij e ka shprehur historinë e tij dhe të popullit shqiptar, por edhe lidhjen me vendin e tij. Njerëzit e duan artin e tij, dhe gjithmonë ndihen krenarë kur ndajnë veprat e tij”.
Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Kosovës në Bernë
“Duke shprehur vlerësimin tonë për suksesin e jashtëzakonshëm të artistit Sylë Mujaj, i cili ka vendosur veten si një figurë të rëndësishme në artet pamore, duke përjetësuar përmes veprave të tij dhimbjen, rezistencën dhe shpresën. Mujaj, një ish i burgosur politik, ka shndërruar përvojat më të vështira në art të fuqishëm, duke pasuruar jo vetëm kulturën shqiptare, por edhe atë zvicerane. Falënderojmë Zvicrën për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj bashkatdhetarëve tanë”.
Ornela Radovicka, Drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Albanologjike/Arbëreshe “Antonio Bellushi”
“Në krijimet e tij, Syla përjetëson edhe dhimbjen e vogëlushëve dardanë, ku i vetmi “faj” i tyre ishte që kishin lindur nga nënat shqiptare. Nëna të dëshpëruara që ende sot nuk dinë ku prehen bijtë e tyre, dëshmi të një gjenocidi që ka lënë plagë të pashërueshme në shpirtin shqiptar. Një ndër momentet më prekëse të ekspozitës ishte kur mbesa e Sylës, me krenari, i tregoi një pikturë kushtuar të atit, duke iu drejtuar Sylës: “Axhë, ky është lala jonë!” Lotët e Sylës rridhnin në heshtje, duke prekur zemrat e të pranishmëve, teksa të gjithë ndien krenari për këtë artist që kishte arritur të kapërcente vuajtjet dhe të shndërronte dhimbjen në art”.
Nderimi i Sylë Mujës në Paradiso të Luganos shërbeu si një kujtesë e fuqishme për përkushtimin e tij artistik dhe përmes artit, ai ka arritur të prekë zemrat e shumë njerëzve. Krijimet e tij jo vetëm që pasqyrojnë historinë e dhimbjes dhe sakrificës, por gjithashtu ofrojnë një mesazh shprese dhe qëndrese. Sylë Mujaj është një shembull i gjallë i forcës njerëzore dhe aftësisë për të transformuar vuajtjen në art, duke na inkurajuar të reflektojmë mbi të kaluarën dhe të shohim përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur. Ekspozitat e tij përfaqësojnë një gamë të gjerë të ndjesive dhe përvojave njerëzore, të cilat vetë ai i ka krahasuar me rrethet e Dantes – nga Ferri drejt Parajsës. Me çdo vepër të tij, ai vazhdon të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe të inspirojë brezat e rinj për të çmuar trashëgiminë dhe identitetin e tyre.
Ekspozita në Paradiso të Luganos do të jetë e hapur deri më 29. 09.2024
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kërkohej nga Italia si trafikant droge, kapet në Durrës 41-vjeçari shqiptar Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim nga Italia është vënë në pranga në Durrës, përcjell albinfo.ch....
-
Daily Telegraph: 1 në 50 shqiptarë në Angli është në burg
-
Kanada
Një serial i ri amerikan me aktoren shqiptare Lyra Xhoci
-
Naim Dina u zgjodh asamblist në qytetin Renens të Kantonit Vaud
-
Presidentja Osmani takoi mërgatën në Francë
Jeta në Zvicër
-
Ushtarët zviceranë, në karantinë për shkak të norovirusit Rreth 30 ushtarë nga Grupi i Artilerisë 1 në Bière, në kantonin Vaud dhe Shkolla Shëndetësore...
-
Pas vendimit të BE-së, makinat elektrike mund të bëhen më të shtrenjta për klientët zviceranë
-
Misioni asteroid “Hera”, gati për t’u nisur me pjesëmarrjen e Zvicrës
-
Në shërbim që nga viti 1976, jep dorëheqjen kryebashkiaku më jetëgjatë i Zvicrës
-
Treni kalon aeroportin e Cyrihut, udhëtarët humbasin fluturimin